Rimori fuqishëm kontrollin e Kherson, kush është “Gjenerali i hekurt” i ushtrisë ukrainase që bota nuk e njeh

Që prej muajit gusht, ushtria e Ukrainës ndoqi një kundërofensivë të shpejtë për të rimarrë qytetin jugor të Khersonit duke zbrapsur ushtarët rusë, madje pa pasur nevojë që ushtarët të luftonin në rrugë.
Strategjia e drejtuar nga gjenerali Valeriy Zaluzhnyi, kishte për qëllim të shkatërronte linjat e furnizimit të ushtrisë ruse përtej lumit Dnipro, duke minimizuar edhe humbjet e Ukrainës.
Sipas Financial Times, sulmet ishin shumë preçize dhe shënjestronin vetëm depot e armëve, zona që shërbenin si kampe si dhe dy urat që lidhen me Krimenë. Kjo strategji dha frytet e saj me një disfatë për Vladimir Putin, pasi forcat e presidentit rus u tërhoqën nga qyteti Kherson dhe pjesë të tjera të provincës rreth dy javë më parë.
Pas suksesit të Ukrainës në fushën e betejës qëndron dora udhëheqëse e njeriut që ukrainasit e quajnë “gjenerali i hekurt”, Valeriy Zaluzhnyi.
“Është e mrekullueshme kur e njeh armikun, se si ai vepron dhe me ndihmën e partnerëve të huaj mund t’i godasë në pikat e tyre të dobëta,” tha Vitaly Markiv, një oficer i gardës kombëtare të Ukrainës, i cili mori pjesë në kundërsulmimin e mëparshëm që çliroi pjesë të territorit në rajonin verilindor të Kharkiv. “Kështu vepron komandanti i përgjithshëm Zaluzhnyi.”
Aftësia e Zaluzhnyit për t’u përshtatur në një fushë beteje që ndryshon shpejt u demonstrua në Kharkiv, ku trupat e tij raportuan se vija e frontit rus ishte bërë si fortesë e padepërtueshme. Në shtator gjeneralët e drejtuar nga Zaluzhnyi udhëhoqën një kundërsulm të shpejt që i bëri ushtarët rusët të tërhiqeshin duke lënë pas gjithçka, nga tanket e deri te çizmet.
Pasi gjenerali Mark Milley, kryetar i shefave të përbashkët të shtabit të SHBA, sugjeroi se Kievi mund të përdorte dimrin për të arritur një marrëveshje me Rusinë, Zaluzhnyi u përbuz. Në një postim në Facebook, ai tha se i kishte thënë homologut të tij amerikan në një telefonatë këtë javë se “objektivi ynë është të çlirojmë të gjithë tokën ukrainase nga pushtimi rus. Ne nuk do të ndalemi në këtë mënyrë në asnjë rrethanë. . . Afati i vetëm për negociata: Rusia duhet të largohet nga të gjitha territoret e pushtuara”.
Një zyrtar ushtarak amerikan vlerësoi aftësinë e Zaluzhnyit për të reaguar me shpejtësi ndaj lëvizjeve dhe dështimeve të Rusisë. Si shembull ai përmendi mbrojtjen e Kievit në ditët e para të luftës, ku trupat ruse i zgjeruan linjat e tyre të furnizimit dhe u bllokuan, vetëm për t’u goditur nga njësitë ukrainase që vepronin në krahët e tyre.
Në betejën për Kievin, vendimi i Zaluzhnyi për të shpërndarë mbrojtjen ajrore ukrainase ishte vendimtar për të parandaluar Rusinë të arrinte epërsinë e plotë ajrore, shtoi zyrtari.