Partia e Lirisë publikon MESAZHET: Të jeni sot në takim me Ramën, mbani përgjegjësi për çdo mungesë!

Partia e Lirisë ka publikuar pasditen e kësaj të premteje disa mesazhe, që sipas saj, tregojnë se administrata në qytetin e Vlorës është kërkuar me detyrim të jetë prezente në takimin që do të mbajë kryeministri Edi Rama.
Sekretari Tedi Blushi, thotë se administrata është kërcënuar me shkarkim nga puna, në rast se mungojnë sot.
“Përshëndetje! Për njoftime të rëndësishme, organizohet takim sot në dt.17 Nëntor ora 17.00, te Salla e Pallatit të Kulturës në kat të 2-të. Lutem, merrni masa të jeni prezent. Mbahet përgjegjësi për çdo mungesë! Faleminderit, Aulona Veizi, N/Lryetar Bashkia Vlorë.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë grup (pa asnjë përjashtim) duhet të jenë në takim mbasdite! Ju lutemi kur të jemi te Pallati i Sportit edhe duhet të kemi një unifikim të hapim telefonat te aktivist kur të kërkohet nga z.Klosi”, thuhet në mesazhin për administratën e Vlorës, publikuar nga Blushi.
Sipas numrit dy të Partisë së Lirisë, Prokuroria duhet të reagojë menjëherë ndaj Nënkryetares së Bashkisë së Vlorës, Aulona Veizi dhe “ta procedojë penalisht për këtë krim të shëmtuar për llogari dhe me urdhër të Edi Ramës.”