Teatri / Kur ata nga të cilët pritet zgjidhja e krizës janë tre përfituesit kryesorë prej saj

Bashkëpunëtori i gazetës Dita, akademiku Moikom Zeqo dhe kryeredaktori Adrian Thano kanë komentuar këtë të hënë situatën politike në vend në emisionin e moderatorit Adi Krasta.
Ata theksuan të dy domosdoshmërinë e zhbërjes së ndryshimeve kushtetuese Rama-Berisha të vitit 2008.
“Kjo klasë politike me përfaqësues të klonuar ka bërë dy atentate të mëdha ndaj Kushtetues: Ndryshimet e kobshme të 2008, që ishin një marrëveshje mes Ramës e Berishës nga e cila është goditur në thelb Kushtetuta, janë goditur zgjedhjet. Kryetarët e partive morën të drejtën e monarkut, ne jemi të kapur nga kjo gjë. Lënia e mandateve është pasojë e ndryshimeve të kobshme të 2008” – tha Zeqo.
Ai shtoi se nuk besonte më se do të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor, por as që PS do ti shkojë në fund asaj që thotë për të shkarkuar Metën.
“Nuk e besoj që zgjedhjet do mbahen më 30 qershor. Nuk e besoj që mund të bëhet edhe një veprim për të shkarkuar Metën. Ka edhe një elektorat tjetër që nuk shkon pas tyre,” u shpreh Zeqo.
Adrian Thano thotë se ka patur zgjidhje të tjera më herët, por në këtë pikë Rama, me ato që ka bërë e veçanërisht me ato që nuk ka bërë, nuk i ka lënë ai i pari vetes më asnjë zgjidhje tjetër veç ikjes së tij.
“Kemi paralajmëruar vazhdimisht që mosndëshkimi dhe pazaret, shmangia nga programi elektoral, konformizmi në vend të reformizmit të premtuar do sillnin këtë situatë. Nuk ndodh për herë të parë dhe do vijojë të ndodhë sepse hapat nga mund të ndryshojë realisht dhe thelbësisht politika nuk janë sot as në periferi të debatit publik” – thotë Thano duke shtuar se hapja e tregut politik nëpërmjet zhbërjes së ndryshimeve të 2008 është pikënisja.
I pyetur pse Dita flet për një teatër dhe marrëveshje Thano tha se 3 politikanët nga sot pritet zgjidhja e krizës janë në fakt tre përfituesit kryesorë prej saj.
“Edi Rama dhe Lulzim Basha e kanë ditur prej kohësh vendimin e Metës, ky i fundit gjithashtu e kishte vendosur prej kohësh lëvizjen e tij. Dy e prodhuan dhe tjetri e përdori krizën secili prej të treve për të forcuar imazhin e rrënuar politik respektivisht në PS, PD dhe LSI. Do të thotë që për pushtetin personal po sfilitin një popull të tërë duke i shkatërruar atij mendjen, shpresën, besimin dhe duke i shkaktuar vendit dëme të reja, të rënda veçanërisht në imazh, turizëm, ekonomi” – tha Thano duke shtuar se kur përballen interesat partiake apo edhe më të ngushta me interesat e Shqipërisë, krerët e politikës shqiptare kanë zgjedhur të parat dhe vazhdojnë ta bëjnë. Rama e ka dëshmuar që me Gërdecin.
Dita e ka theksuar në editorialin e sotëm vijimin e këtij teatri me kosto të pallogaritshme për vendin.
Kjo duket edhe në kërkesën drejtuar Kuvendit për “shkarkimin e Metës”. PS, me anë të kësaj kërkese nuk kërkon shkarkimin e Metës, por zhvillimin e një debati për Metën dhe miratimin e një rezolute, e cila nuk ka vlerë.
Sepse kërkesa e PS i referohet nenit 98 të Rregullores së Kuvendit. Neni 98 nuk parashikon shkarkimin e Presidentit, por vetëm zhvillimin e një debati.
Grupi i deputetëve të PS do të hartojë një rezolutë. Kuvendi do të votojë në fund me votim të hapur rezolutën, e cila nuk ka asnjë pasojë dhe vlerë juridike. Ditën e enjte nuk do të ndodhë asgjë.
Më poshtë pjesë nga redaksionalja e sotme, kopertinë e gazetës:
“Bëhen apo jo zgjedhjet në 30 qershor, ka të drejtë apo jo Meta, do të pranojë opozita një dialog konstruktiv apo jo, të gjitha këto janë ushqim i ri në të njëjtën kuzhinë të vjetër.
Kriza e tashme, e shkaktuar nga opozita, ka një burim: ajo është tek mosmbajtja e premtimeve elektorale të Rilindjes dhe shefit të saj, Edi Rama.
Të pandëshkuarit, për të cilët Rama, si shef i opozitës apo pas mandatit të parë, kishte premtuar dërgimin e tyre në prokurori dhe gjykata, nuk u prekën as me pupël; oligarkët e lidhur me përfitimet politike dhe financiare kaluan në krahun e qeverisë, korrupsioni mori një galop të ri, njerëzit nuk morën atë që pritën dhe që u ishte premtuar.
Përgjegjësia kryesore për mos mbajtjen e fjalëve dhe krijimin e një gjendje të tillë, kur të pa moralshmit si Basha dhe Berisha të bëjnë moral; ku të pandëshkuarit si Berisha e kompani të përmendin ndëshkimin; ku të pahetuarit dhe shkaktarët e tragjedive të përmendin tragjedinë; ku dukët e krimit janë bërë “ëngjëllorë” dhe Ndokët e pazareve politike shfaqen si shejtorë, është vetëm e Edi Ramës.
Për të mos përsëritur atë që e dimë të gjithë, që qeveria ngultas, ka shkarë nga parimet e së majtës progresive dhe është kthyer në një strukturë që vetëm e majtë nuk është.
Kush nuk mban premtimet elektorale, ikën. Edhe nëse nuk do ishte revanshi i të pandëshkuarve, Rama sërish duhet të ikte (mjafton skandali i Unazës për këtë).
Të majtët kanë votuar PS-në jo Edi Ramën. Nëse Rama mendon që kanë votuar vetëm atë si individ, le ta provojë të shkëputet nga PS.
Partia më e madhe në Shqipëri nuk mund të ngelet vetëm tek një emër dhe në duart e një njeriu të vetëm. Nëse është kështu, çfarë do ndodhë me të, kur Rama të ikë qoftë edhe “normalisht”?

