SULMET në Veri të Kosovës, REAGON Albin Kurti: Do të ketë ndjekje të kriminelëve që hedhin bomba dhe paguhen nga Vuçiç!

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, duke thënë se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në atje.
Ai thotë përmes një postimi në Facebook, se qeveria e Kosovës nuk bën pazare me këto banda që sipas tij paguhe nga Serbia dhe hedhin bomba e shkrepin armë në Veri.
Kurti shkruan se në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore.
Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë.
Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.