Presione nga Athina, Micotakis-Ramës: Marrëdhëniet e mira me Greqinë në dorën tënde

Kandidati për Kryeministër Kiriakos Micotakis paralajmëron se Greqia do të vendosë sanksione ndaj Shqipërisë, në rast se nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë.
Kryetari i Partisë “Demokracia e Re” i bëri këto deklarata në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të datës 7 korrik në shtetin fqinj.
Micotakis, partia e të cilit shihet si favorite u shpreh se nëse Rama dëshiron që të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë, duhet në rradhë të parë të respektojë të drejtat e minoritetit grek.
“Do të ketë sanksione nëse nuk respektohen të drejtat e komunitetit grek dhe kjo ka lidhje me marrëdhënien tonë dypalëshe. Nese Rama do që të kemi marrëdhënie të mira, të respektojë të drejtat e minoritetit grek”, u shpreh Micotakis.
Pak ditë më parë Kryeministri aktual Aleksis Tsipras, gjatë prezantimit të programit elektoral paralajmëroi Shqipërinë, se nuk do të merrte dritën jeshile për në BE në rast se nuk plotësohen të gjitha të drejtat dhe detyrimet që vendi ynë ka ndaj minoritetit.