Qeveria e Serbisë shton PARALAJMËRIMET ndaj Kosovës, Petkoviç KËRCËNON: Po shqyrtojmë dërgimin e 1000 forcave

Teksa tensionet në veri të Kosovës vijojnë prej ditësh, së fundmi shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka kërcënuar duke thënë se do të shqyrtojnë dërgimin e 1.000 forcave të saj.
Ai madje ka deklaruar se veprimi do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, duke përmendur nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2.
Ky përfaqësues i qeverisë së Serbisë i ka bërë komentet në kohën kur në pjesën veriore të vendit janë shtuar sulmet e grupeve kriminale ndaj institucioneve të Kosovës, si KQZ, Policia e Kosovës etj.
Ai ka thënë se veriu po “pushtohet” nga policia e Kosovës dhe se Serbia po e shqyrton mundësinë, siç ka thënë ai, kthimit të 1.000 pjesëtarëve të saj të sigurisë në Kosovë.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme një patrullë policie është sulmuar me armë në veri të Kosovës ku ka mbetur i plagosur një efektiv, ndërkohë pak më herët dis persona të maskuar kishin sulmuar dy gazetarë, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.