“Na thoni, çfarë doni?”, Vuçiç u drejtohet ndërkombëtarëve: Kosova nuk po respekton asnjë marrëveshje!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u është drejtuar ndërkombëtarëve duke i pyetur se cilën nga pesë marrëveshjet duhet të respektojë Beogradi, kur Prishtina dhe ata që e ndihmojnë nuk respektojnë asnjërën prej tyre.
Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë gjermane se është e papranueshme dërgimi i forcave serbe në Kosovë, Vuçiç u shpreh se përgjigja ka ardhur në vend të komandantit të KFOR-it, i cili ende nuk ka marrë një kërkesë të tillë nga Beogradi, shkruan Euronews Serbia.
Siç nënvizoi ai, KFOR-i do ta marrë kërkesën vetëm të enjten pasdite pas procedurave që duhet të ndiqen. “Tani kam një pyetje për të gjithë ata: ju lutem, më thoni – unë do të paraqes para tyre 5 dokumente të rëndësishme – cilin prej tyre duhet ta respektojmë?
Na thoni një dhe ne do ta respektojmë atë, zgjidhni ju. Doni Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e Uashingtonit?
Na thoni, çfarë doni? A e kuptoni se ata nuk respektojnë asnjërën nga ato marrëveshje, as Prishtina dhe as ata që i ndihmojnë. Tani e kanë pranuar se ua kanë bërë këtë edhe disa të tjerëve. Na thoni, çfarë doni?”, theksoi presidenti serb.