Berisha “garanton” përgjigje ndaj Ramës për grushtin që mori, i kthehet Spiropali: Je shkaku i plumbave të zbrazur dhe varreve të hapura ndër vite

Ish-kryeministri Sali Berisha është shfaqur për herë të parë në sallën e Kuvendit, pas sulmit fizik në datën 6 dhjetor. Berisha ka mbajtur syze teksa nga foltorja e Kuvendit është zotuar për “përgjigje” ndaj asaj që e quan si tentativë e Edi Ramës për të eleminuar opozitën.

Berisha nuk kurseu as akuzat ndaj ministrave të Ramës, duke i akuzuar si të përfshirë në serën e kultivimit të kanabisit të zbuluar pak javë më parë në Berat.

Berishës i është përgjigjur ministrja socialiste e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, duke thënë se ndjen keqardhje që ish-kryeministri e shfrytëzoi fjalën e tij për të nxitur sërish dhunë.

Ajo tha se Berisha është ai që ndër vite ka nxitur zbrazjen e plumbave, hapjen e varreve dhe gjakun në fytyrat e kundërshtarëve, duke mos ndjerë keqardhje për ta.

Pjesë nga fjala e Berishës dhe përgjigja e Spiropalit në Kuvend:

Sali Berisha: Flas sot në këtë parlament me thirrjen time drejtuar mbarë popullit shqiptar, popullit opozitar, në këto momente në të cilat ky regjim dëshmoi se është i aftë të bëjë gjithçka për eleminimin e opozitës së vërtetë. Por unë jam sot këtu si dëshmi e shpirtit të pamposhtur të opozitës, si dëshmi e vendimit të saj sublim për t’u përballur dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim kriminal të Edi Ramës.

Nuk do arrish kurrë të mposhtësh opozitën e shqiptarëve. Me akte korruptive ke arrit të blesh dhe shesësh deklaratata, deputetë, kryetarë opozite. Por ata kanë marrë fund, u arkivuan siç do arkivohesh ti. Edi Rama duke nxjerrë në rrugë një kriminel, një agjent të policisë kriminale, të përgatitur me ministrin e familjes, Edi Rama mendoi se kjo është rruga për të triumfuar mbi opozitën. Por ja i them këtu se të gjithë kriminelët e Shqipërisë po t’i mbledhësh, të gjithë vrasësit po t’i fusësh në sallë, kurrë nuk do e mposhtësh opozitën.

Unë u garantoj që përgjigje tjetër përveç asaj që thonë qindra e mijëra qytetarë, një përgjigje e përbashkët kundër këtij burracaku, frikacaku që zgjedh një ditë të rëndësishme për shqiptarët për të mbuluar kirmin. Unë e fala Gerti Shehun se është një mjeran që merr para. Por e fala se Gerti Sheha ka në parlament. Ke shku e ke taku viktorin në burg apo jo, çfarë lidhje keni me 5 tonët e drogës në Çervenak? Ku është ai Çuçi, ua them unë e kujt ishte sera. “Mirëmbrëma doktor, janë sekuestruar 2 ton kanabis, është godit një serë, janë shkarkuar të tërë, nga informacioni i sigurtë drejtori i Beratit ishte organizatori, por ai shkoi te ministri i familjes Çuçi. Ai tha se ska bërë gjë tjetër veç porosisë së bosit të drogës Aranit Arapi, dhe nxorri bisedën. Ai urdhëroi largimin e Targës”.

Ndaj dhe u bëj thirrje për beteja të reja, u bëj thirrje të ngrihemi se kjo kalbësirë nuk ikën ndryshe veç se me revolucion. Revolucioni s’duhet të trembë askënd. Mora fjalën për t’i deklaruar Edi Ramës se kauzën tonë t’i s’e vret dot. Kohërat që vijnë do të faktojnë këtë që thashë.

Elisa Spiropali: Ndjeva keqardhje për ju zoti Berisha, nuk do të doja ta shihja kurrë atë skenë, nuk do ta dëshiroja kurrë atë përgjakje në fytyrën tuaj. Në ditën e samitit por edhe në asnjë ditë të vitit. As ata që e quajtën poshtërrimi i një politikani nuk bëjnë mirë se nxisin dhunë dhe dhuna është e pranueshme. E di që dikush ka përdorur të kaluarën tuaj për të thënë që je politikani që ka nxitur më shumë dhunë, e dëshmuat edhe sot. Keni përdorur dhunën për të arritur qëllimet tuaja. Po ushtroni dhunë! Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes grushtit që godet kundërshtarin, apo grushtave dhe plumbave kur godasin mbështetësit tanë.

Vota është ndëshkuesi në politikë dhe jo dhuna. Unë nuk kam asnjë tagër ta këshilloj zotin Berisha, por ktheje kokën pas dhe mundohu njëherë të jesh i sinqertë dhe të thuash të vërtetën. Kujto se çfarë ke bërë vetë dhe do të kujtosh se ke qenë shkak i plumbave të zbrazur, i varreve të hapura dhe i gjakur në fytyrat e kundështarëve të tu. Por në asnjë rast nuk ke ndjerë keqardhje për ta. Ndërsa sot unë ndjej keqardhje për ju. Në vend që zoti Berisha të bënte sot një analizë të gjuhës së dhunës që na çoi deri aty, bëri të njëjtën gjë, gënjeu edhe për rrahjen e tij. E bëri me të njëjtin ton me të cilin mbante fjalime në 21 janar kur pretendonte se në bulevard ishin mbledhur kriminelë që vrisnin njëri tjetrin. E bëri me të njëjtin ton kur shpalli shpërthimin në Gërdec si sabotim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT