Berisha mbledh kandidatët e PD për kryetarë bashkie: Jemi model i pluralitetit! PS, një shpellë që gëlon nga ryshfeti

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me kandidatët fitues të garës së primareve, për kandidatë për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore në maj të 2023.
Gjatë takimit në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, Berisha ka vlerësuar procesin e primareve, duke thënë se i solli pluralitetin partisë, duke i hequr mundësinë kryetarit të bëjë zgjedhjet e tij.
Berisha nuk kurseu as kritikat për Partinë Socialiste, duke thënë se është shndërruar në një shpellë ku gëlon ryshfeti dhe pengmarrja.
“Nuk ka parti më të hapur sesa parti që bazohet në garën konkurrencën e lirë dhe të ndershme të zgjedhjes së institucioneve të saj. Nuk ka parti më të hapur sesa parti e cila vendos pluralitetin dhe votën e lirë në themel të zgjedhjes qeveritare të saj, vendore, qendrore dhe drejtuesve të saj.
Këto janë risi të pamohueshme të saj dhe secili prej jush ka kontributin, investimin në këtë realitet të ri të krijuar në PD por edhe në Shqipëri. Secili kandidat që doli i dytë apo i tretë në garë, ka gjithashtu meritën e madhe se firmosi pluralitetin brenda PD.
Nëse hidhen sytë në krahun tjetër, shpella, aty gëlon rryshfeti, pengmarrja, aty përcaktojnë droga, krimi dhe banda. Anëtarësia e PS nuk ka më asnjë thënie asnjë zë te qeveritarët e saj të ardhshëm. Ata përfaqësojnë sektin e “Rilindjes”. Sot çdo shqiptar pa parti, por edhe çdo socialist i ndershëm, siç ishte ai që thotë nuk u besova veshëve”, tha ndër të tjera Berisha.
Ju uroj suksese, përpiquni të përfshini në këshillat tona, përfaqësuesit më të shquar, më emërmirë dhe më të aftë të komuniteteve. Unë më shumë u ftova t’ju uroj për garën. Po me kaq angazhim dhe seriozitet të nisni punën për programin për secilën bashki.