Basha nën akuzë për lobim, çfarë shkruajnë mediat e huaja

Mediat e huaja i kanë bërë jehonë hetimit nga Prokuroria e Tiranës, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku organi i akuzës e therriti si të pandehur për ta njohur me akuzat në lidhje me dyshimet që janë ngritur prej drejtësisë amerikane. Akuzat lidhen me pagesat e mbi 650 mijë dollarëve, të padeklaruara zyrtarisht nga ana e Bashës.

Agjencia italiane e lajmeve, ANSA shkruan se “Basha është thirrur të paraqitet të hënën e ardhshme si i pandehur nga prokuroria e Tiranës, për t’i komunikuar akuzën”.

“Lideri i opozitës së qendrës së djathtë në Shqipëri, Lulzim Basha është nën akuzë për shkak se dyshohet se nuk ka deklaruar pagesën prej 650.000 dollarësh në favor të një kompanie amerikane, ‘Muzin Capitol Partners’, për lobim në administratën amerikane”, shkruan agjencia italiane e lajmeve, ANSA.

“Këto janë dy pagesa që Muzin i ka deklaruar pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë, nga të cilat 500 000 dollarë nga Partia Demokratike e Bashës (PD) dhe 150.000 dollarë nga Biniatta Trade, një kompani me qendër në Edimburg, në pronësi të disa kompanive të tjera të kontrolluara nga shtetas rusë ose të lidhur në mënyrë indirekte me Rusinë, si dhe me qendër në Belize, parajsa fiskale e Amerikës Qendrore.

Basha ka refuzuar gjithmonë pagesën në favor të Biniatta Trade, apo të çdo lloj financimi apo lidhjeje me Rusinë. Por, ai ka ofruar shpjegime kontradiktore për shifrën 500.000 euro. Sipas Bashës, kjo lëvizje vjen në mes të një krize të thellë politike. Qendra e djathtë ka bojkotuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit duke kërcënuar se nuk do të lejojë zhvillimin e tyre”, shkruan agjencia italiane e lajmeve, ANSA.

”Partia Demokratike, formacioni kryesor politik i djathtë, e drejtuar Lulzim Basha, ka fshehur, sipas prokurorisë, pagesën në vitin 2017, të 650 000 dollarëve në favor të ‘’Muzin Capitol Partners’’, një kompani amerikane lobimi pranë administratës amerikane. Ky procedim penal vjen në një moment të tensioneve të mëdha politike. Qendra e djathtë ka bojkotuar edhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit”, shkruan agjencia tjetër e njohur italiane e lajmeve, Agenzia Nova.

”Prokurorët në Shqipëri njoftuan ngritjen e akuzave kriminale kundër Lulzim Bashës, kreu i partisë kryesore konservatore në vend, lidhur me më shumë se 600 000 dollarë pagesa që partia e tij ka bërë në 2017 te një lobist amerikan në Uashington”, shkruan media amerikane Mother Jones.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT