PROFIL: “Shumë zhurmë për asgjë”, kreu i ri i SPAK, një nga prokurorët më të mirë të vendit, krejtësisht i pandikueshëm nga politika

U bë shumë zhurmë për kreun e ri të SPAK, por rezultoi shumë zhurmë për asgjë. Sot u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme një nga prokurorët më të mirë të vendit.
Procesi u parapri veçanërisht nga frika për anësi politike në përzgjedhje. Por procesi zgjodhi pikërisht atë, të cilit i trembej më shumë politika: Altin Dumani ka spikatur për shumëçka, por jo për varësi nga politika.
Prokurori që do drejtojë SPAK, ka lindur në Dibër. Ai njihet si prokurori që ka drejtuar i i pari njësinë Task Forcë, për të luftuar krimin e jakave të bardha (siç njihen ndryshe zyrtarët e nivelit të lartë)
Dumani e ka nisur karrierën në vitin 1999 në Sarandë dhe më pas ka qenë kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda. Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të problematikave të atjeshme.
Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.
Së fundmi Dumani drejtoi operacionin “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, që solli arrestimin e dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha. Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhërarreste, mes të cilëve emra të bujshëm të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Talo Çela e Florenc Çapja.
Dumani udhëhoqi më herët operacionin që çoi në pranga gjyqtaren e Gjykatës së Krujes Enkeleda Hoxha që lironte të fortët nga qelia.
Kur u pyet se pse vendosi që të jetë pjesë e SPAK, Dumani u përgjigj se “lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është më prioritare se komoditeti i zyrës”.
Kreu i ri i SPAK është një nga prokurorët e vetëm që la “pa fjalë” edhe të dërguarin (vëzhguesin) e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ditën që doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje”, u shpreh Jacobs.
Votat sipas kandidatëve nga ana e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë sot në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK:
Për Altin Dumanin:
Bujar Sheshi
Zeqir Hoda
Ledina Riza
Eloida Goxhi
Arta Mandro
Për Edvin Kondilin votuan:
Alfred Balla
Tartar Bazaj
Nurihan Seiti
Mirela Bogdani
Për Adnan Xholin votoi:
Sokol Stojani