“E pyeta Bushatin për kufijtë, më tha Rama më heq nga qeveria”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për përplasjet në distancë që ka pasur së fundi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Gjatë një interviste në Interaktiv, Haradinaj ka deklaruar se nuk ka pasur mundësi të sqarohet me Ramën pas Samitit të Berlinit, por theksoi se është përshëndetur me të edhe gjatë shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
“Unë i përshëndeta publikisht edhe kryeministrin Rama dhe presidentin Meta, është mirë që kanë ardhur. Nuk kam pasur rast të sqarohem. Unë e pata ftuar edhe në hapjen e Autostradës “Arbën Xhaferi”, ai më pati premtuar që do të vijë, por nuk erdhi, pastaj nuk kam pasur rast”, ka thënë ai.
Sa i takon etiketimeve që i kanë bërë njëri-tjetrit pas Samitit të Berlinit, Haradinaj është shprehur se nuk duhen marrë si të tilla.
“Unë e kam treguar një të vërtetë që ka ndodhur në Berlin, e që në mënyra të ndryshme e konfirmuan edhe vetë” – tha ai.
Haradinaj ka zbuluar edhe një bisedë me ish-ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë një Samitit të organizuar në Durrës.
Haradinaj thotë se në atë kohë, Bushati i kishte thënë se nuk mund të dalë e të kundërshtojë idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Ishte samiti i Durrësit dhe erdhi ministri Markovic, më vonë u bashkua komisionari Hahn dhe në një rast i thashë Ditmir Bushatit, ‘i nderuar ministër, si ka mundësi që ju nuk e keni një qartësi në respektim të territoreve të Kosovës dhe si nuk dilni kundër lëvizjes me territore për Kosovën’, ai më tha që ‘unë e kam shef Edi Ramën dhe nga ai varet se sa do të jem në Qeveri”.