Ulet prodhimi vendas, e pabesueshme nga vjen 80% e drithërave

Fermerët shqiptarë kanë ulur tempin sa i përket prodhimit të drithërave në vend, pasi 2018-ta është viti më i dobët në këtë drejtim.
Sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave, në vitin që lam pas janë prodhuar 678,2 mijë ton, duke pësuar një rënie drastike nga viti 2017 i cili shënon dhe vlerën më të lartë në 5 vite, në 701,7 mijë ton.
Po ashtu prodhim në nivele të kënaqshme ka pasur edhe vitit 2014.
Ndërkohë që importi i drithërave si gruri, thekra e misri është në nivele shumë të larta.
Duket e pabesueshme duke patur parasysh raportet tona gjeo-strategjike por shteti kryesor që na furnizon me këtë produkt bazë për ushqimin e popullatës është Rusia dhe më pas Serbia.
Rënia e shifrave të prodhimit në vend i jep më shumë hapësirë këtyre dy vendeve për të sjellë drithëra në Shqipëri.
Shqipëria importon mesatarisht 260,000 -300,000 ton grurë në vit.
49% e kësaj vjen nga Rusia dhe 28% nga Serbia.
Shqipëria prodhon sasi misri, më së shumti për ushqim për kafshët.
Për kultivimin e drithërave nuk ka asnjë politikë mbështetëse me subvencione nga ana e qeverisë.