Rama: Meta, ndryshe nga Pendarovski, po pengon negociatat për Shqipërinë

Edhe këtë të djelë, kryeministri Edi Rama ka vijuar fushatën zgjedhore për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në Pustec ai ka prezantuar kandidatin Pali Kolevski.
Teksa u ndal te problemet më të cilat përballet kjo zonë, Rama iu referua dhe deklaratë së presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në lidhje me negociatat.
Kujtojmë se Pendarovski pat thënë se vendi i tij dhe Shqipëra duhet të trajtohen të ndara nga të nga njëra-tjetra në lidhje me integrimin në BE, pasi Tirana ka probleme më serioze se Shkupi.
Rama deklaroi se Pendarovski i kishte shkruajtur dhe se kjo çështje ishte sqaruar mes tyre. duke marrë shkas nga kjo, kryeministri komentoi edhe një herë vendimet e presidentit Ilir Meta, ku tha ndryshe nga Pendarovski është shprehur kundër negociatave duke ndërhyrë në Kushtetutë dhe në procesin zgjedhor.
Rama tha: “Shqipëria është në një përpjekje për t’i shpëtuar një kurthi të ngritur nga brenda, nga njerëz që nuk duan hapjen e negociatave. Unë dje bëra një prononcim për një tjetër mik të mirë, që është Presidenti i Maqedonisë së Veriut, lidhur me një deklaratë të bërë prej tij, që e lexova në mënyrë të nënkuptuar, se problemet në Shqipëri nuk duhet të jenë pengesë për Maqedoninë. Presidenti më shkroi dhe u sqaruam, por e vërteta është se ka një dallim të rëndë, për të ardhur keq për ne. Presidenti i Maqedonisë së Veriut është pjesë e përpjekjes së popullit të tij për të bindur vendet anëtare se duhen çelur negociatat; Presidenti i Shqipërisë është pjesë e përpjekjes për të krijuar një dyshim që të kthehet në bindje te disa nga vendet se Shqipëria nuk meriton çeljen e negociatave. Ai është koka së bashku me Sali Berishën dhe ku Lulzimi dhe fallxhorja janë marionetat e tyre, presidenti na bën të gjithëve të na vijë zor. Pasi është diçka e pa ndodhur më parë dhe është diçka që Shqipëria nuk iu ka borxh Ilir Metës. Ai sot duhet të ishte avokat kryesor për hapjen e negociatave.”