Inteligjenca e huaj tregon planet e Putin për të pushtuar këtë shtet europian në 2023

Kreu i Shërbimit të Sigurisë të Moldavisë, Alexandru Musteata ka deklaruar këtë të hënë se ekziston një rrezik “shumë i lartë” i një ofensive të re ruse në lindje të vendit, duke përfshirë rajonin e Transnistrisë të kontrolluar nga Rusia.
Musteata i tha kanalit televiziv TVR-Moldova se Rusia ende synon të sigurojë një korridor tokësor përmes Ukrainës për të arritur në Transnistria, vend ku aktualisht janë stacionuar 1,500 trupa ruse dhe një depo të madhe armësh të epokës sovjetike.
“Çështja nuk është nëse Rusia do të ndërmarrë një avancim të ri drejt territorit të Moldavisë, por kur do ta bëjë këtë”, tha ai.
Musteata shtoi se Shërbimi Moldav i Sigurisë beson se Moska po shqyrton disa skenarë për të arritur Moldavinë, me nisjen e mundshme të një ofensive në janar-shkurt ose mars-prill.
Javën e kaluar, kryekomandanti i Ukrainës Valerii Zaluzhnyi tha se Rusia po përgatitej për një sulm të ri ndaj Ukrainës “ndoshta në janar, por më shumë gjasa në pranverë”, duke kërkuar të shtyjë forcat ukrainase dhe potencialisht duke bërë një përpjekje të dytë për të marrë Kievin.