Mediat në Athinë: Greqia pret që ndarja e detit me Shqipërinë “të finalizohet përpara qershorit 2023”

Më 22 dhjetor do të zhvillohet vizita e shtyrë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në disa zona të jugut të Shqipërisë. Vizita e Mitsotakis do të nisë nga Himara dhe më pas në Derviçan.

Duket se përgatitjet e kësaj vizitë i ka marrë përsipër shefi i diplomacisë greke Niko Dendias që pas Beogradit viziton Tiranën ditën e nesërme.

24 orë përpara se shefi i tij të vizitojë jugun e Shqipërisë, Dendias do të bisedojë me homologen Olta Xhaçka dhe kryeministrin Edi Rama “detajet teknike të paraqitjes në Hagë të dosjes për ndarjen e zonave detare mes të dy shteteve”.

Pala greke pret që të ketë përparim në çështjen e nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët, “sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda gjysmës së parë të vitit 2023″.

Hapa në këtë drejtim janë bërë gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Mitsotakis në Shqipëri për Samitin e Bashkimit Evropian – Ballkani Perëndimor që u zhvillua në fillim të Dhjetorit në Tiranë.

“Greqia ka dëshmuar se mund të zgjidhë çështje të tilla të pazgjidhura me udhëzimin e vetëm të së drejtës ndërkombëtare” – deklaroi Mitsotakis gjatë qëndrimit në Tiranë.

Nëse Greqia nënshkruan demarkacionin e Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, atëherë sipas shtypit grek “laku shtrëngohet për Tripolin dhe Ankaranë”, vende  që refuzojnë marrëveshje të tilla të ridiskutimeve për kufij të rinj detarë.

Athina është bërë më e vendosur për të rindarë hapësirën detare, veçanërisht pas marrëveshjes së fundit Turqi-Libi që riktheu në plan të parë diskutimet për raftet kontinentale në rajon.

Burimet diplomatike sipas  gazetave greke dëshmojnë se “pala shqiptare shfaqet pozitive në përshpejtimin e këtij procesi”.

Pengesë qendrore në lidhje me demarkacionin është ndikimi i  Ereikousa dhe Othona, pasi Greqia i konsideron si pika skajore, pa qenë kontinentale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT