Alarmohen italianët/ Anija ruse pranë brigjeve shqiptare, ndalon sipër tubacionit të gazsjellësit TAP

Një anije ushtarake ruse është duke lundruar në ujërat mes Italisë dhe Shqipërisë, duke vënë në alarm autoritetet italiane të cilat janë duke monitoruar lëvizjet e saj.
Sipas mediave italiane, anija “Akademik Pashin” ka lundruar nga jugu mëngjesin e sotëm dhe për disa orë është ndalur në kanalin e Otrantos, aty ku kalon edhe gazsjellësi TAP që lidh Shqipërinë me brigjet e Pulias.
Disa faqe që monitorojnë lëvizjet e anijeve në internet, spekulojnë se anija ruse është duke ndjekur aeroplanmbajtësen bërthamore amerikane “George HW Bush”. Në zonë është shfaqur edhe shkatërruesi italian “Andrea Doria” duke bërë që të rriten ndjeshëm tensionet.
Forcat e NATO-s janë duke monitoruar me vëmendje lëvizjet e anijeve ruse në det, të cilat shpesh i afrohen anijeve të tjera në shenjë provokimi. Sa i përket gazsjellësit TAP, marina italiane është angazhuar në monitorimin e tij që prej rastit të shpërthimit në gazsjellësin Nord Stream 2.