Ministri serb i Mbrojtjes: Do të rrisim numrin e forcave speciale, janë të gatshëm t’u përgjigjen të gjitha sfidave

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç tha të hënën se numri i pjesëtarëve të njësive speciale të Forcave të Armatosura Serbe do të rritet nga 1.500 në 5.000 deri në fund të vitit 2023. Një vendim i tillë erdhi, tha ai, “me urdhër” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Dua ta informoj opinionin e Serbisë dhe jo vetëm të Serbisë, se mbrëmë gjeneral Milan Mojsiloviç, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, dhe unë morëm një detyrë, një urdhër nga Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm Aleksandër Vuçiç, për të rritur numrin e pjesëtarëve të njësive speciale në Ushtrinë Serbe deri në fund të vitit 2023”, tha Vuçeviç.
Vuçeviç theksoi se ushtria serbe do të ketë 5.000 ushtarë të trajnuar dhe të përgatitur me armët më moderne, të gatshëm “për të mbrojtur atdheun, për të kryer çdo detyrë në çdo kohë dhe në çdo pjesë të territorit tonë”.
“Ata do të jenë të gatshëm t’u përgjigjen të gjitha sfidave me të cilat përballet atdheu ynë, shtoi Vuçeviç.