‘Vizat po përdoren si instrument presioni ndaj Kosovës’

Ndonëse Bashkimi Evropian vlerëson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave, kjo gjë nuk pritet të ndodhë së shpejti. Sipas njohësve të çështjeve integruese, liberalizimi i vizave për kosovarët nuk pritet të ndodhë as gjatë udhëheqjes së Presidencës nga Finlanda, që do të fillojë në muajin e ardhshëm, shkruan gazeta “Zëri”.

Njohësi i çështjeve integruese, Arben Fetoshi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që heqja e vizave për Kosovën po përdoret si instrument presioni ndaj Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Çështja e liberalizimit të vizave po përdoret si instrument presioni ndaj Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, ndonëse nuk mund të përjashtohen edhe faktorë të tjerë, si gjyqësori i dobët dhe rezultatet e pamjaftueshme në luftimin e krimit të organizuar. Pra vendimi për vizat është vendosur në kontekstin politik të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe varet nga ecuria e procesit të dialogut Kosovë – Serbi si agjenda e saj kryesore”, ka thënë ai, për “Zërin”.

Ndërkohë ai ka theksuar se pavarësisht se Finlanda do të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së që nga korriku i këtij viti, përsëri heqja e vizave mund të shtyhet edhe për një kohë.

“Nuk mendoj se vendimi lidhet me faktin se kush është kryesuesi i radhës i Këshillit, megjithëse disponimi i shteteve anëtare e ka rëndësinë e vet, por më tepër e shoh si proces të vendimmarrjes së balancuar, që mund të lidhet me vendime të caktuara nga Kosova dhe Serbia me qëllim të rikthimit të tyre në tavolinën e bisedimeve”, ka potencuar ai.

Ai po ashtu ka theksuar se duke i marrë për bazë deklaratat optimiste të kryeministrit Haradinaj, ka mundësi që atij t’i jetë premtuar si një “shpërblim” në raport me pezullimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të vendoset në një “pako stimuluese” për rikthimin e palëve në dialog./ZERI

Back to top button
LAJMET E FUNDIT