Skandali i Akademisë së Shkencave në Kosovë, promovon gjuhën e Vetëvendosjes, shkrimi pa autor paragjykon dhe Shqipërinë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka publikuar një analizë të gjatë me 39 faqe, me të cilën synon që të tërheqë vëmendjen e opinionit për politikat destabilizuese të Serbisë.
Ndonëse pa autor të përveçëm, analiza merret me marrëdhëniet mes shqiptarëve e të serbëve, duke u përpjekur që të ofrojë një histori të përgjithshme, që nga koha e Betejës së Kosovës e deri te situata më e re në veriun e Kosovës.
Raporti i Akademisë së Shkencave nuk ka as fusnota dhe gjuha e përdorur shpesh është politikisht jokorrekte, duke i ngjarë më shumë një fletërrufeje sesa analizës së mirëfilltë. Për më shumë, dokumenti ka edhe gabime të shumta drejtshkrimore e çalime të fakteve, por edhe gjuhë paranojake e paragjykuese ndaj Shqipërisë, dy partive PS e PD, Maqedonisë së Veriut dhe fesë islame.
Institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve, që udhëhiqet nga akademik Mehmet Kraja, ka lëshuar akuza të shumta ndaj ish-pushteteve në Kosovë, duke i akuzuar ato për keqqeverisje, korrupsion e krim. Për më shumë, nëpërmjet një gjuhe aspak korrekte, AShAK “godet” edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke e akuzuar se e ka futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale.
Në fakt, gjuha e përdorur nga AShAK-u përputhet me narrativën e Lëvizjes Vetëvendosje kundrejt fenomeneve politike e shoqërore në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.
I titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, në tekstin me 39 faqe, AShAK komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera.
Për më tepër, Akademia e Shkencave akuzon edhe shtetin e Kosovës se “pranoi” njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive. “Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj.”
Shqipëria, “Vetëvendosje”
Akademia e Shkencave të merret edhe me Shqipërinë, më saktësisht me përkrahjen që Shqipëria zyrtare e shfaq ndaj “Ballkanit të Hapur” dhe “Mini-Schengenit”, të cilat ky institucion i cilëson si projekte serbe. Por aty ka edhe një gjuhë aspak korrekte ndaj Shqipërisë, duke akuzuar se shoqëria shqiptare është “shoqëri pa ideologji”, që ka recidivizëm ideologjik që shfaqet si refuzim ndaj Kosovës.
“Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm, si lidhje klanesh, si dominim jugor, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje e ngushtë botëkuptimore me sllavizmin dhe me proveniencën lindore… Partia Socialiste e Shqipërisë, por jo vetëm ajo, pothuajse rregullisht i kthen në agjendën e saj politike recidivizmat e vjetra antikosovare, sa herë që këtë e sheh të përshtatshme, për të larguar vëmendjen nga ndonjë krizë e brendshme politike. Këtë e ka bërë herë pas here edhe Partia Demokratike, për shkak të “djathizimit të majtë” të saj. Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për idilin e marrëdhënieve miqësore me Serbinë dhe me shtetet”, – shkruan raporti.
Analizë e Akademisë Së Shkencave Dhe Të Arteve Të Kosovës by Newsbomb Albania on Scribd