400 miliard dollarë GDP-ja, cili është sekreti i suksesit të një vendi të vogël gati sa Shqipëria?

Aranit Muraçi

Në maj 2019, IMD (International Institute for Management Development) nxori të dhënat e fundit të ekonomive më konkurruese në botë dhe Singapori u rendit i pari. Por cilët janë faktorët që e shndërruan ishullin qytet-shtet, i cili ndodhet në Azinë Juglindore, nga një vend në zhvillim në një vend të zhvilluar, madje sot, në ekonominë më konkurruese brenda një periudhë kohore afërsisht të një brezi të vetëm?

Me një GDP prej 397 miliardë dollarë (vendi i 37 në botë), sipas vlerësimeve të Bankës Botërore (2021), nga rreth 15 miliardë dollarë që është aktualisht GDP-ja e Shqipërisë, dhe sipas të njëjtave vlerësimeve me 73 mijë dollarë për banorë (vendi i 7 në botë) si dhe me një rritje të ‘frikshme’ ekonomike (7.6 për qind në vit), Singapori është vlerësuar si një ndër mrekullitë ekonomike të botës.

Ka shumë faktorë që justifikojnë zhvillimin e jashtëzakonshëm të Singaporit. The Economist identifikon tre faktorë kryesorë:

Vendndodhja strategjike e ishullit, në ngushticën e Malacca, që i garanton kontroll të mbi 40% të kalimeve tregtare.

Politikat miqësore të miratuara nga qeveria ndaj investimeve të huaja.

Një qeveri efikase dhe e “ndershme”.

Nga këto tre arsye, vetëm njëri është në fakt avantazh i vërtetë konkurrues. Shumë ekonomi të tjera janë të vendosura në vende strategjike (gjithashtu në të njëjtën pozicion gjeografik, Malajzi), por ato nuk arrijnë të përfitojnë plotësisht nga i njëjti pozicion po aq i favorshëm. Fakti që vetëm Singapori është në gjendje të kontrollojë 40% të tregtisë detare nuk është shkaku kryesor i suksesit të tij, por më tepër është një pasojë. Suksesi këtij vendi me 5.6 milionë banorë dhe me vetëm 733.1 km2 (e treta në botë për nga dendësia më e lartë dhe me 74.3 për qind të popullsisë kineze) vjen për shkak se Singapori “është një vend i mirë për të bërë biznes” përderisa edhe anijet ‘preferojnë’ të lundrojnë atje!

Gjithashtu, miqësia me investitorët e huaj është një tjetër avantazh konkurrues krahasuar me ekonomitë e vendeve të tjera, që me gjithë përpjekjet e tyre nuk arrijnë të kenë aq miq sa Singapori. Çelësi i vërtetë i suksesit të Singaporit, mbi miqësitë e lehta që krijon, qëndron në qeverinë e tij efikase dhe të ndershme.

Literatura ekonomike vë në dukje se forma e qeverisjes mund të mos ketë shumë ndikim në rritjen ekonomike. Ajo që në fakt ka rëndësi nuk është forma e qeverisjes, por më tepër stabiliteti që qeveritë e Singaporit kanë qenë në gjendje të sigurojnë për t’i dhënë më shumë garanci zhvillimit ekonomik të vendit të tyre.

Historia e Singaporit është shembull i qartë i lidhjes së ngushtë midis rritjes ekonomike dhe stabilitetit politik. Pas pavarësisë së Singaporit në vitin 1965, kryeministri i parë Lee Kuan Yew i dha Republikës së sapolindur të Singaporit stabilitetin e nevojshëm, në vitin 1969. Stabiliteti erdhi nga fakti se sistemi ligjor i Singaporit ishte “i qartë, i sigurt dhe efikas”. Në terma juridikë, kjo nënkuptonte pasojat që i bashkëngjiten ligjeve të cilat janë të parashikueshme për të gjithë (të qarta dhe të zbatueshme). Korniza ligjore nuk ndryshon shpesh, por është mjaft e besueshme (e sigurt) dhe zbatohet gjatë gjithë kohës (efikase). Kush beson se një vend tjetër zhvillohet pa një kuadër të besueshëm ligjor dhe pa stabilitet ekonomik dhe politik, ai thjesht është një politikan aventurier të cilit i intereson karriera e tij personale, e ngritur mbi “teorinë e kaosit”, nga e cila askush nuk kupton asgjë dhe përfiton vetëm ai, ndoshta edhe disa nga shokët dhe miqtë e tij.

Këta tre elementë kryesorë të Singaporit gjenerojnë stabilitetin e kërkuar që tërheq investitorët. Në realitet investitorët, për nga natyra e tyre, janë tepër të ndjeshëm ndaj rreziqeve. Atyre nuk u pëlqen kur rregullat e lojës janë të paqarta, të ndryshueshme dhe zbatohen në varësi të diskrecionit të dikujt. Prandaj, kjo është arsyeja pse investitorëve, veçanërisht të huajve, u pëlqen shumë Singapori.

Megjithatë, mund të ketë një arsye tjetër më të fortë, për të shpjeguar suksesin e vërtetë të një vendi si Singapori, arsye që lihet vazhdimisht pas dore. Nëse nga ato çfarë u parashtruan më lart, mund të themi se argumentet janë bindëse (dhe pretendojmë se janë), ato megjithatë nuk paraqesin një tablo të plotë për suksesin e Singaporit. Vende të tjera kanë po ashtu një sistem ligjor që zbatohet dhe funksionon mirë, por, pavarësisht se performojnë gjithashtu po aq mirë në ekonomi, ato nuk renditen të parat në renditjen botërore të konkurrencës së IMD-së.

Për të kuptuar më mirë suksesin e Singaporit, mund t’i referohemi një metafore të marrë nga garat me kuaj. Në garat me kuaj, ekziston shprehja “fitim me hundë” ose me nuhatje, që do të thotë se në rastin e dy ose më shumë konkurrentëve të afërt, me shumë gjasa, fiton ai që do të vendosë hundën para të tjerëve. Atëherë, cila është “hunda” e Singaporit?

Kështu, për ta kuptuar akoma më mirë, duhet t’i referohemi një renditjeje tjetër: “PISA Worldwide Ranking” që vlerëson sistemin arsimor të vendeve të ndryshme. Dhe kush është i pari në renditje? Singapori! “Hunda” e Singaporit është sistemi arsimor dhe kontributi i tij kryesor në rritjen ekonomike. Kontributi i arsimit është i dyfishtë: nga njëra anë, arsimi u siguron punëtorëve të kualifikuar një produktivitet më të lartë marxhinal të punës (me rezultate të dukshme në PBB). Nga ana tjetër edukimi ofron eksternalitete pozitive. Një eksternalitet pozitiv është një përfitim që merr një palë kur ka paguar për të. Kur investojmë në arsim, marrim parasysh vetëm përfitimet tona individuale. Mirëpo, pasi të jemi arsimuar mirë, edukimi i gjithsecilit gjeneron edhe sjell përfitime për të gjithë shoqërinë. Si kontrast, vendet e pazhvilluara dhe me sistem të dobët arsimor flasin për “sukses imagjinar” në bankat e shkollës, ose në tetori dhe jo në praktikë, pa arritur të mësojnë as se cilët janë sektorët kryesorë të ekonomisë se vendit të tyre, aty ku në fakt duhet të bazohen investimet, puna dhe ku duhet synuar rritja e produktivitetit. Vetëm përmes rezultateve konkrete që sigurohen nga më punëtorët, të aftët, krijuesit, ideatorët, arrihet një produktivitet më i lartë. Të gjitha të tjerat mbeten thjesht dokrra në teori!

Në vendet me arsim të dobët përgjithësisht analizohen rrallë rezultatet në punë dhe flitet pak ose aspak mbi produktivitetin individual dhe aq më pak për atë shoqëror, kurse karriera zhvillohet mbi dëshirat e momentit, dhe e gjitha kjo reflektohet në një ekonomi të dobët, të lodhur e të rraskapitur.

Për shembull, nuk ka shumë gjasa të krijohet një biznes fitimprurës që, në këmbim të rritjes, t’iu sigurojë një punë çfarëdo njerëzve të tjerë, pa marrë parasysh produktivitetin. T’i japësh punë një personi tjetër nuk është qëllim. Synimi fillestar për Singaporin ishte investimi në arsim, me qëllim, që çdo individi t’i garantohej një karrierë e suksesshme. Duke vepruar kështu, njerëzit e tjerë në shoqëri përfitojnë nga një i arsimuar mirë. Singapori ka investuar shumë në arsim. Sipas BBC, Singapori bëri një përpjekje për të rritur prestigjin e mësimdhënies, teksa trajnoi mësues për të siguruar kontrollin e cilësisë në arsim.

Natyrisht, kjo nuk mund të bëhej pa një qeveri të mirë. Një qeveri që jep garanci për sigurinë, shmang korrupsionin dhe obligohet të zbatojë ligjet njësoj për të gjithë. Megjithatë, një qeveri e mirë, që vetëm monitoron zbatimin e ligjit, nuk mund të garantojë të njëjtin sukses, të arritur në shkallë globale, ashtu siç ia doli Singapori. Qeveria duhet të jetë gjithashtu dashamirëse në njohjen e asaj që qëndron në zemër të suksesit, si në shembullin e një ishulli të vogël, i cili, edhe pse pa burime të mjaftueshme natyrore dhe lëndë të parë, ia doli që të mbështetet tek vetja. E gjitha, në sajë të edukimit. Dhe është pikërisht kjo, “magjia e vërtetë” që fshihet pas suksesit të Singaporit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT