Analisti: Kurti nuk është transparent, t’i qaset seriozisht dialogut me Serbinë

Edhe pse serbët hoqën barrikadat të vendosura për gati tre javë në veri të Kosovës, pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Heqja e barrikadave nisi ditën e djeshme pasi serbët mbajtën të bllokuara disa rrugë që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë për rreth 20 ditë.
Analisti Faton Topalli në një lidhje të drejtpërdrejtë me “ABC Live” u shpreh se nga ana e kryeministrit Albin Kurti duhet të ketë angazhim maksimal në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për dialogun Kosovë-Serbi.
Më tej theksoi se Kurti nuk ka ende një synim të qartë për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të Kosovës.
“Nuk ka marrëveshje që të dyja palët të dalin të fituara, por janë bisedimet e njëpasnjëshme ato që do të sjellin një zgjidhje të tillë. Partitë opozitare presin nga Kurti që të ruajë marrëdhëniet me SHBA-në dhe të angazhohet seriozisht për negociata me Serbinë.
Kurti duhet t’i qaste seriozisht dialogut dhe nuk është fare transparent për sa i përket dialogut. Nuk ka një synim të qartë për sa i përket zgjidhjes së situatës në Kosovë”, u shpreh Topalli.