Bombardimet e NATO-s më 1999, ambasadori amerikan në Serbi: Më vjen shumë keq, duhet të marrim mësime

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për mediumin serb “Telegraf”, tha se personalisht ndihet keq që Aleanca Atlantike e NATO-s bombardoi Serbinë në vitin 1999.

Megjithatë, Hill tha se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Serbisë duhet të përqendrohen në të ardhmen, të nxirren mësime nga e kaluara dhe palët të vazhdojnë përpara duke lënë pas atë çfarç ndodhi 23 vjet më parë.

“Më duhet t’ju kujtoj se kjo ka ndodhur 23 vjet më parë. Është njësoj sikur në vitin 1968 të flisnim për ngjarjet e vitit 1945. Mua personalisht më vjen shumë keq që kjo ka ndodhur në historinë tonë dhe nuk jam i lumtur për këtë”.

“Por në një moment njerëzit duhet të kthehen drejt së ardhmes, për të ecur përpara. Të përpiqesh të mësosh diçka nga e kaluara, por jo të jesh peng dhe skllav i së shkuarës”, shtoi diplomati amerikan.

Sa i përket bashkëpunimit ushtarak mes Uashingtonit e Beogradit, Hill konsideroi se kjo është çështje që duhet të shtyhet nga të dyja palët, si nga amerikanët ashtu edhe nga serbët.

“Unë do të doja të shihja më shumë bashkëpunim ushtarak, por ne nuk mund ta shtyjmë vetëm nga ana jonë. Duhet të jemi të sigurt se edhe Serbia e dëshiron”.

Ndërkaq, ai përsëriti se SHBA-të e vlerësojnë Serbinë “mike dhe partnere”, prandaj shtoi Hill, “varësisht se çfarë vendos Serbia në të ardhmen do ta vlerësonim edhe si aleate, sepse dikur kemi qenë aleate”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT