Meta rendit rekordet “e zeza” të “Rilindjes”: Jemi të parët për korrupsion dhe varfëri! Këtë vit i japim fund kapjes së shtetit

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi në selinë e Partisë Demokratike u zotua se viti 2023 do të jetë viti që sipas tij opozita do t’i japë fund kapjes së shtetit nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Meta përmendi disa statistika duke thënë se vendi ynë renditet i pari në kontinent për korrupsionin e lartë si dhe vendi i parë në rajon për sa i përket varfërisë.
“Jemi të parët për korrupsion në kontinent falë Rilindjes, jemi të parët në rajon për sa i përket varfërisë. Të dhënat e fundit të INSTAT, japin një shifër alarmante të fryrjes dhe degradimit të administratës shtetërore, që nga viti 2020 është rritur me 22 mijë veta. Financimi i BE për administratë publike dinjitoze ka shkuar dëm, pasi mijëra punonjës janë shkarkuar nga Rilindja vetëm për arsye politike. Mijëra biznese mbyllen dhe falimentojnë, për të mos harruar faktin që 700 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin.
Nëse 700 mijë shqiptarë janë larguar, ky ka shtuar administratën publike sa Gjirokastra, ndërkohë që tre qarqe kanë ikur. Viti ku kemi hyrë do të jetë viti i ndryshimit, në mënyrë që të mos jetë viti i falimentimit të Shqipërisë, të ekonomisë. Në mënyrë që të mos jetë viti i thellimit të varfërisë dhe shpopullimit. Ne jemi të bindur që do të bëjmë plotësisht të mundur çkapjen e shtetit dhe nisjen e një ndryshimi të madh”, deklaroi Meta.