Ish-ministri publikon FOTOT: Vaji ekstra i virgjër shqiptar me 500 lekë, italiani shitet në raft me 1.400 lekë

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ka ndarë në rrjetet sociale dy foto dhe krahason çmimin e vajit shqiptar të ullirit dhe atë italian. Teksa ka pirë kafe në një nga baret e Tiranës, në raft ka parë tabelën për vaj ekstra të virgjër shqiptar, me 500 lekë/litri.
Ndërkohë, 50 metra më tej thotë Panariti, vaji italian shitet me 1.395 lekë të reja litri. Ish-ministri e quan këtë një tragjedi dhe komedi njëherësh, teksa ironizon Autoritetin e Konkurencës që ka lënë konsumatorin të pa mbrojtur nga diskriminimi.
“Një tragjedi/komedi! Vaji i ullirit ekstra i virgjër shqiptar përballë atij ekstra i virgjër italian. 500 lek litri shqiptari përballë 1395 lek litri italianit. Të dy për shitje 50 metra larg njëri tjetrit.
I pari, shqiptari në mungesë të tregut po tenton të shitet, dëshpërimisht edhe nëpër kafe /baret e Tiranës me bidona plastmasi, shumëpërdorimshe. Sepse nuk begenisim as tu paguajnë, ambalazhin fermerëve dhe kultivuesve të ullirit.
Këtu jam në kafe barin ku pij kafen ç’do mëngjes dhe pas meje vjen oferta vaj ulliri ekstra i virgjër shqiptar 500 lek /litri. Kur më shërbyen kafen më thanë se po mora mbi 10 litra ta ulim në 400 lek /litrin.
Ekzaktësisht më pak se 50 metra përballë, vjen oferta 1395 lek /litri e vajit italian, vetëm sepse është i veshur firmato dhe zë raftin e marketeve në qytet. Të mendosh që kemi edhe autoritet konkurrence që e mbron prodhuesin tonë nga diskriminimi”, shkruan Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë.