Financimet Ruse, Basha paraqitet në Prokurorinë e Tiranës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është paraqitur këtë paradite në Prokurorinë e Tiranës, ku është thirrur për t’u pyetur për lobimin në SHBA.
Kreu i demokratëve është thirrur prej disa ditësh nga Prokuroria, ndërsa ishte urdhëruar shoqërimi i tij, nëse nuk do të paraqitej deri më 20 qershor.
Për këtë arsye, Basha ka vendosur sot të shkojë para prokurorëve, ku do të japë llogari për lobimin prej 650 mijë dollarësh në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Në aktin “Ftesë për paraqitje” të datës 12 Qershor 2019, përcjellë me shkresën nr. 645 Prot. thuhej se Basha do të paraqitej në Prokurori për t’i njoftuar akuzën dhe për ta marrë të pandehur.
“Siç ju dhe opinioni publik jeni në dijeni, unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin. Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive.” shkruan Basha në letrën e tij.
Më tej argumenton se thirrje e prokurorisë nuk është në përputhje me detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”.