Dili zot ose largohu!

Situata në disa qytete të vendit ka kaluar përtej një tensioni normal, duke shënuar edhe të plagosur.

Aktet e dhunshme të së mërkurës bien ndesh me argumentin e presidentit Ilir Meta.

Ai argumentoi se protesta e 8 qershorit do të kishte përfunduar në akte dhune të pallogaritshme atë natë, nëse s`do dilte dekreti i tij.

Por cili është rezultati sot, dhjetë ditë më vonë? Situata është tensionuar dhe ka ndezur vatrat e para të konfliktit, pikërisht për shkak të atij dekreti, apo në “mbrojtje” të atij dekreti.

Kjo situatë, e cila pritet të kalojë një të enjte “përvëluese” më 20 qershor, mund të jetë prologu i një tensioni dhe më të madh të premten më 21 qershor, ku vatrat e konfliktit për momentin vetëm nëpër bashkitë e djathta, të ndizen përballë Kryeministrisë në protestën e thirrur në Tiranë.

A do të kenë guximin për ti shkuar deri në fund këtij skenari? – pyet portal Real Story dhe shton se ndërkohë maxhoranca, “nuk është e qartë në qëndrime sesa është në fjalë. Dhuna vazhdon. Qeveria ose duhet të vendosë ruajtjen e ligjit dhe të rendit publik,ose të tërhiqet tani”.

Duket se kur ndërkombëtarët thonë se “zgjidhjen ta gjejnë vetë shqiptarët”, nënkuptojnë edhe përgjegjësinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të mbajtur zgjedhjet në 30 qershor. Për këtë mbështetja e tyre nuk ka munguar për kryeministrin Rama. 

Por të mërkurën mesazhet e maxhorancës kanë qënë kontradiktore. Ndërsa kemi patur deklarime direkte të bashkiakëve demokratë, nga Voltana e Molotovëve e deri te Frani i tokave të Lezhës, ndërsa kreu i Kavajës jep ultimatume si Berisha në 9 mars 1997, ndërsa në Kukës policët sulmohen si kafshët, qeveria – (ajo e llafeve të Lleshit dhe e nje ligji që gjoja sot kalon në kuvend kundër krimit zgjedhor, por që s’do ketë asnjë efekt për dhunuesit e para 30 qershorit) – thotë se “policia ka vepruar me profesionalizëm për të shmangur përshkallëzimin e situatës”.

Kështu u shpreh zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda për të justifikuar tërheqjen e policisë përballë njerëzve në Kukës. Por a është Kukësi pjesë e Shqipërisë, që drejton Edi Rama?

Sot është momenti që maxhoranca të marrë përgjegjësitë e qeverisjes së vendit. Ajo nuk mund të presë me kompjuterin hapur, në pritje të ndonjë emaili nga Uashingtoni ose Lajçak.

Ja dhe deklarata nga Lajçak erdhi. Po sa e ndryshon kjo situatën? Sa e forcon kjo deklaratë veprimin e qeverisë? 

Nëse si zv.ministrja Voda, mendon dhe kryeministri, se skenari do ketë viktima dhe ata nuk e ndalkan dot veçse duke u tërhequr, atëherë më mirë të tërhiqen tani sesa kur të vriten njerëz.  

Prej 5 muajsh, Rama u thotë njerëzve se ka zgjedhje në 30 qershor. Por nëse këtë është i paaftë ta sigurojë, atëherë më mirë të tërhiqet. E rëndësishme është të mos tërhiqet, si pasojë e një pazari.

Ai e di mirë përse ndërkombëtarët këmbëngulin që ai të mbajë zgjedhjet në 30 qershor. Se beteja e vërtetë fillon më pas: ajo për SPAK.

E plotë mund të lexohet në gazetën Dita print.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT