Roland Qafoku: Ja si mund të bashkohet PD

Gazetari Roland Qafoku tha se zgjidhja më e mirë për bashkimin e Partisë Demokratike, do të ishte që një grup të urtish të ulte në tavolinë të dyja grupimet e PD-së dhe të bënte sheshimin e mosmarrëveshjeve.
I ftuar në Euronews Albania, Qafoku theksoi se negociatat për bashkimin e PD-së mund të jenë të suksesshme, vetëm nëse drejtohen nga persona pa interes për karrierë politike.
“Një shpartallim i tillë i PD do të ishte një gjëmë jo vetëm për PD-në dhe opozitën, por një gjëmë kombëtare.
Bëhet fjalë për ekzistencën e opozitës dhe ndarja është pjesa më e keqe e mundshme. Unë përsëri këmbëngul, që një grup të urtish, pa interasa, pa asnjë lloj synimi në karrierë brenda Partisë Demokratike duhet të ulin palët dhe t’i pajtojnë ato.
Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë pasi edhe pjesa gri do ta besonte më mirë. Kalkulime, ndarje dhe pastaj bashkim, a e beson njeri këtë? Njerëzit nuk janë budallenj!”, tha Qafoku.