Begaj iu përgjigj ministrit që ofendoi shqiptarët, PD akuzon presidentin për acarim të marrëdhënieve me britanikët: Mba vendin aty ti, s’kanë ç’të duhen këto punë

Presidenti i Republikës thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare me datën 23 janar ora 14.00.
Në njoftim nuk jepen detaje për diskutimet, por thuhet se fokusi do të jetë bashkërendimi i institucioneve:
“Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar synon që të japë një panoramë të plotë dhe integruar të gjendjes së Sigurisë Kombëtare në Republikën e Shqipërisë dhe të diskutojë prioritetet për vitin në vijim në funksion të angazhimit të plotë, gjithëpërfshirës të institucioneve në garantimin e sigurisë, lirisë dhe mirëqënies së qytetarëve” .
Pak orë pasi kreu i shtetit publikoi këtë njoftim, Partia Demokratike i kërkoi atij të trajtojë me urgjencë çështjen e emigracionit.
Duke iu referuar kritikave të një dite më parë të Begajt adresuar qeverisë britanike dhe ministrit Robert Jenrick që ofendoi shqiptarët, zëdhënësja e demokratëve, Floriana Garo, e quajti kreun e shtetit si zgjatim të qeverisë:
“Presidenti si emblema e supozuar e unitetit kombëtar, duhet t’i thërrasë mendjes së pari, dhe së dyti të thërrasë Këshillin e Sigurisë, sepse emigracioni biblik, shpopullimi kataklizmik, nuk janë punë deklaratash, por emergjencë kombëtare”.
Në debatet në rritje mes qeverisë shqiptare dhe asaj britanike për klandestinët, Partia Demokratike bën fajtore autoritetet e Tiranës.
Ndërsa përfshirjen e presidentit në çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare e vlerëson si diskretitim të figurës së kreut të shtetit me kosto për vendin.
Reagimi i PD së Berishës
Piramida e korruptuar e pushtetit në Shqipëri, për të shmangur vëmendjen nga ngjarjet e brendshme, nga skandalet e vjedhjeve dhe babëzia e pafre, kanë nxjerrë nga sirtarët e etërve të tyre praktikat e vjetra, dhe i kanë hapur luftë qeverisë britanike.
Partia Demokratike është e pa-ekuivok në bindjen e saj se racizmi ndaj shqiptarëve, apo çdo populli tjetër, është i papranueshëm.
Nga ana tjetër ne nuk mund të mos e pranojmë botërisht se Shqipëria e Edi Ramës është eksportues kryesor krimi dhe droge në Europë, dhe në rastin konkret, problemi i emigrantëve klandestinë dhe kriminalitetit, për të cilin po debatohet, është shqiptar dhe jo britanik. Për më shumë, ky problem që është i yni, nuk mund të zgjidhet me deklarata, medemek patriotike, të cilat fshehin papërgjegjshmëri, dhe mosgatishmëri për tu ngritur në rolin e shtetarëve dhe zgjidhur problemet.
Kur dëgjon presidentin e Republikës të huazojë gjuhën e gjatë të kryeministrit apo të StrateXhaçkës së tij, dhe të marrë shenjë qeverinë e Madhërisë së Tij, kupton se shteti ka rënë në duar të pasigurta, ashtu si shqiptarët që ikin janë në kthetrat e sekserëve të emigracionit të paligjshëm, nëpër kanalin e La Manshit.
Identifikimi vullnetar i Presidentit me kryeministrin, edhe në gjuhën e marrdhënieve ndërkombëtare, një fushë ku ky i fundit është tashmë i diskredituar, dhe i ka sjellë kosto vendit, dëshmon se ndarja e pushteteve në Shqipëri është një koncept i huaj dhe Begaj e Rama i dinë vetëm emrin.
Presidenti si emblema e supozuar e unitetit kombëtar, duhet t’i thërrasë mendjes së pari, dhe së dyti të thërrasë Këshillin e Sigurisë, sepse emigracioni biblik, shpopullimi kataklizmik, nuk janë punë deklaratash, por emergjencë kombëtare.
Lufta e deklaratave dhe motoja “Fajin e ka Anglia” nuk dëshmon gjë tjetër veçse papërgjegjshmërinë dhe varfërinë e mendjeve dhe politikave të brendshme, ta cilat mbulohen me pseudo ngjarje në marrëdhëniet me jashtë.