Ura pa lumë në qytetin Shqiptar, më e rralla në botë: Uji ndërroi rrjedhën dy shekuj më parë

Vushtrria është qytet që gjendet në pjesën verior të Kosovës me një popullsi prej rreth 70 mijë banorë, transmeton Gazeta Metro.
Një nga atraksionet kryesore të këtij qyteti është Ura e Vjetër e Gurit. Kjo urë gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit e cila sipas hulumtimeve të fundit llogaritet të jetë ndër urat më të vjetra të llojit të vetë në Kosovë.
Në lidhje me vjetërsinë e urës ka versione të ndryshme por dominojnë mendimet sipas të cilave ajo është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake. Në vetë qytetin e Vushtrrisë ajo njihet me emrin Ura e Vjetër e Gurit.
Ura është ndërtuar nga blloqet e gurit, të cilat me gjasë janë marrë nga kodrinat e qytetit antik të Lumkuqit si dhe të Martirajt të Epërm.
Gurët janë të gjatë rreth një metër dhe të trashë 30 – 40 cm, të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele. Ura me pjesët shtesë anësore, është e gjatë 135 metra, e ngritur mbi nëntë harqe. Gojëdhënat tregojnë se ura dikur i kishte 12 harqe por që me kalimin e kohës kanë mbetur nën shtresat e dheut.
Deri në vitin 1902 ura në mes kishte një lartësi diku 7,5 metra. Tani nga ajo lartësi e urës mund të shihen vetëm 3,7 metra.
Sot, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnicë, uji i të cilit për shkak të përbërjes pedologjike të tokës e ndërroi rrjedhën për afër një kilometër në perëndim.
Nuk dihet saktësisht se kur lumi Sitnica ka ndërruar rrjedhën e saj dhe nuk kalon më nën Urën e Gurit, por dihet që ka së paku dy shekuj që kjo Urë e Gurit ka mbetur pa lumin e tij, dhe si e tillë bëhet rast i rrallë në botë, Ura pa lum./gazetametro.net