Si shpjegohet që po shtojnë çmimin dhe pakësojnë peshën e bukës, pa ua bërë “syri tërr”?

Nga Vlash Lacka

SA PESHON 1 KG BUKË – SA ËSHTË ÇMIMI I BUKËS ?!

Në rininë tonë për të testuar shpejtësinë e reagimit të ndonjë kolegu që arsyetonte më ngadalë, e provokonim : “thuaje shpejt – kush peshon më shumë: 1 kg hekur apo 1 kg pambuk?

Por sot po e modifikojë këtë duke pyetur Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit  apo strukturat e Peshëmatjes dhe Standardeve: – Sa peshon një kilogram bukë?! Sa është çmimi i bukës?

Ndërsa Drejtorisë së Mbrojtjes së Konsumatorit i lutemi të  na shuajë kuriozitetin: – Eshtë Drejtori e Mbrojtjes së Konsumatorit, apo Drejtori e Mbrojtjes nga Konsumatori?!

Ka tre-katër ditë që bukës së grurit dhe misrit, të çdo peshe, i kanë rritur çmimin me 100 lekë (10 lr) si pa të keq, të shoqëruar më “një buzëqeshje”. 100 lekë në ditë bëjnë 3000 lekë në muaj – aq sa iu rrit pensioni për indeksim.

M’u kujtua  kur gazetarja në prag të vitit të ri pyeti një rritës gjelash  deti në Baldushk : “Do i shesësh dot të 100 gjelat e detit që ke nxjerrë për shitje me këtë çmim të lartë?”;  ai, me sytë që i ndritnin, iu përgjigj: “Zëre se i kam të shitur të gjithë, sepse këtë vit do të mi blejnë pensionistët që iu dha k/ministri nga 50 mijë lekë”.

Këtë me siguri e kanë mësuar nga tregtarët e bukës, të cilët edhe këtë radhë sapo morën vesh që kryeministri po iu jep vetëm për këtë muaj pensionistëve nga 80 mijë lekë ashtu dhe varfanjakëve, por çfarë do bëjnë këta muajt e tjerë kur të mos e kenë këtë shtesë!.

Si mund ta shpjegosh që “ditën me diell” shtojnë çmimin dhe të pakësojnë peshën e njësisë së bukës dhe pa iu bërë “syri tërr” kanë hequr nga raftet etiketat për peshën dhe çmimin e bukës sipas cilësisë së saj ?

Nuk e shpjegon dot se si mund të mbetet kjo jashtë kontrollit të shtetit, nga që një veprim i tillë është i penalizueshëm. Veçse po të mendosh se ata që janë marrë në punë për këtë qëllim përpiqen të nxjerrin të paktën paratë që kanë dhënë atyre që i kanë futur në punë, të cilët nuk i heqin dot nga puna ?!

Në majën e tavanit të shportës së produkteve të mbijetesës është buka, baza e bazave të jetesës së mbi 30 % të popullatës që Banka Qendrore e Shqipërisë thotë se është në kufirin e varfërisë.

Pak bukë me vaj dhe me pak kripë do të ngopte të paktën fëmijët e këtyre familjeve, që ka shoqëruar tradicionalisht varfërinë tek ne. Veprimi për të rritur çmimin e bukës dhe mungesa e kontrollit nga shteti, tejkalon çdo normë përgjegjësie e njerëzillëku, deri  në nivelin e hajdutërisë.

Po e mbyll me nje pyetje: I ktheni dot çmimet e bukës sa ato që ishin para se kryeministri të miratonte pakon 80 (8)mije lekëshe?

—–

Botuar në DITA në rubrikën Letër Kryeredaktorit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT