Basha premton futjen e Ramës në burg: Shpejt ndërrojmë vendet

Protesta e nëntë e opozitës së bashkuar, që ishte njoftuar se do të mbahej këtë të premte në orën 20:00 ka filluar dhe po zhvillohet me thirrjet e zakonshme “Rama ik”.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu bashkua protestës dhe mbajti një fjalim përpara protestuesve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Pasi është shprehur i kënaqur se tashmë e gjithë bota e kishte parë se si kryeministri Edi Rama ishte i lidhur me krimin, Basha theksoi se nuk do të bënte marrëveshje (pazar) me Ramën.
Në vijim, ai ka deklaruar se nuk do t’i zgjenjente mbështetësit e tij, pasi përsëriti disa herë se zgjedhje më 30 qershor nuk do të kishte, duke ftuar popullin në rrugë.
Basha ka kërkuar edhe lirimin e të burgosurve, ku i referohej lirimit të personave që u ndaluan pasi u përplasën për KZAZ në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke nënvizuar se ikja e Edi Ramës ishte e panegociushme.
Ndër të tjera, Lulzim Basha tha:
Shpeshherë na kanë përbuzur, na kanë mosbesuar. Por sonte kjo merr fund njëherë e mirë. Rama ik, del sot nga kraharori i çdo shqiptari. Ora e të vërtetës erdhi. Gjashtë vite me radhë qëndruam dhe, ja, më në fund gjithë bota e pa fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, që ka shkrirë në një shtetin, qeverinë, krimin, me një qëllim, marrjen dhe mbajtjen me dhunë të pushtetit, diçka që nuk do ta pranojmë kurrë. Rruga jonë është rruga drejt Shqipërisë si gjithë Europa. Kjo betejë nuk do të ndalet vetëm me largimin e Edi Ramës, por kur të kenë vendosur kushte si gjithë Europa.
Ai vazhdon drejt grushtit të shtetit, drejt votimit kriminal. Ta dijë mirë Edi Rama, ne nuk bëjmë asnjë hap pas, nuk ka zgjedhje më 30 Qershor. Aleanca qytetare është në këmbë, beteja vazhdon qytet më qytet, fshat më fshat, demokracia kundër narkoshtetit, ndaj çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do dështojë me turp. Ndërsa 30 Qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës dhe Rilindjes së krimit. Këto mesazhe të qarta e të prera dua t’i bëj sonte të qarta për këdo që nuk i di. Nuk do të ketë më në Shqipëri zgjedhje me Edi Ramën, nuk do të ketë më në Shqipëri proces politik pa dënuar hajdutët e votave.
“Rama ti harrojë zgjedhjet më 30 qershor. Unë e di se mes jush që ka shumë që janë dëshpëruar, që po bëjnë gati valixhen të ikin.
Mbyllini valixhet, hapini zemrat për ndryshimin që po vjen, ndizini dritat sepse dikush tjetër po i bën gati valixhet tani që po flasim.
Ky është Edi Rama. Mos kini merak nuk kanë ku të shkojnë, vetëm në qelitë e burgut ku do ti çojë drejtësia e pavarur.
Basha vijoi: Jehona e “Bild” ka kapërcyer kufijtë e vendit dhe nuk ka njeri që nuk e di çfarë banditi është kryeministri Edi Rama, prandaj e vetmja mënyre ishte skenari i turpshëm. Tik Taku i Edi Ramës po mbaron…
Në fund të fjalës së tij para kryeministrisë, Basha tha: Edi Rama është i pashprese pazar me opozitën nuk do të ketë. Do të ketë vetëm një rrugë dhe ajo është e përcaktuar në çdo manual kushtetuetues, rruga e drejtësie në burg hajdutët e votave. Ju ftoj në përmbyllje të kësaj protestë marshoni me mua drejt Parlamentit.”