Rama: Gjithë shqiptarët e dinë se kush ka blerë vota

Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të dielë edhe Dropullin, nga ku tha se, me sa duket, të gjithë politikanët e opozitës janë çmendur. Rama ka bërë batuta e ironi me politikanë të opozitës, duke theksuar se të gjithë shqiptarët e dinë se kush ka blerë vota në Shqipëri.
Ai tha se “fallxhorja” vazhdon të besojë në fate, ndërsa për Tritan Shehun u shpreh se gati sa nuk u hodh në lumë vetëm që ta ndalte rrugës. Kreu i qeverisë theksoi se ajo që bëjnë këta politikanë në opozitë vetëm politikë nuk mund të jetë.
Edi Rama nënvizoi se Dropulli do të ndryshojë, ashtu si ka ndryshuar Gjirokastra.
“Besoj se do bëjmë mirë për Dropullin, siç kemi bërë me Gjirokastrën. Shikoni ne jemi njerëz normalë, komunikojnë si njerëz. Pashë një status të Tritan Shehut, shyqyr Tritani është gjallë se do kishte rënë në lumë. Unë iki nga qyteti në qytet, kurse këta vijnë pas meje. Më rrisin shpejtësinë që të iki më përpara. Njerëz që merren me politikë, kriminelët, mafia, droga, vetëm këta dinë të thonë, kurse program kanë zero. Nuk ke kë të zësh, njëri filxhan. Nuk e di, cfarë janë ca sekte fetare që mallkojnë. Futi në televizor dhe mallko.”
Rama vijoi: “Se kush i ka blerë votat në Shqipëri e dinë të gjithë shqiptarët. Ku hyn këtu sfida demokratike. E kthyem politikën në sport fizik, futej kryetari i partisë, nxirrte vezën, tjetra gjuan me çizme. Ku hyn politika këtu, se politika është që mblidhemi për një ide. Ajo tjetra andej thotë e dashuroj molotovin. Oh ç’kishte dashtë një molotov thotë kryetarja e Bashkisë Shkodër. Këta janë çmendur, mirë u çmendën, por keta janë çmendur të gjithë bashkë. E keni parë Neritan Cekën 80 vjeç burrë, o xhind, bërtiste mallkuar qumështi gjiza, mallkuar buka, mallkuar fëmijët, mallkuar. E kishte kap tartakuti”.