Deklarata “BOMBË” e Putin: Do të fitojmë në Ukrainë, ashtu siç bëmë me nazistët në Luftën e Dytë Botërore

Presidenti rus Vladimir Putin e ka krahasuar pushtimin rus të Ukrainës me luftën kundër Gjermanisë naziste, në një fjalim për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Betejës së Stalingradit. Duke përmendur vendimin e Gjermanisë për të dërguar tanke Leopard në Ukrainë, ai pretendoi se historia po përsëritej.
“Është e pabesueshme, por e vërtetë. Ne përsëri po kërcënohemi nga tanket gjermane Leopard”, tha ai.
Gjermania është një nga vendet e shumta që ndihmon Ukrainën të mbrojë territorin e saj. Rusia nisi pushtimin e saj të përgjakshëm në shkallë të plotë pothuajse një vit më parë, duke nxitur vendet perëndimore të dërgojnë armë dhe ndihmë për qeverinë në Kiev. Duke folur në Volgograd – emri modern i Stalingradit – Putin la të kuptohej se ai mund të kërkonte të lëvizte përtej armëve konvencionale, shkruan BBC.
“Ata që shpresojnë të mposhtin Rusinë në fushën e betejës nuk e kuptojnë, me sa duket, se një luftë moderne me Rusinë do të jetë shumë ndryshe për ta. Ne nuk po dërgojmë tanket tona në kufijtë e tyre, por kemi mjetet për t’u përgjigjur. Nuk do të kufizohet në përdorimin e pajisjeve të blinduara. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë”, tha Putin.