Shërbimet sekrete të Kievit: Putin ka dhënë urdhrin, të pushtohet i gjithë Donbasi brenda marsit

Kontrolli i të gjithë Donbasit, brenda marsit të këtij viti. Ky është urdhri që presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë gjeneralit Valerij Gerasimov, kreut të ushtrisë ruse dhe prej disa javësh edhe përgjegjësi i fushatës në Ukrainë, zyrtarisht e cilësuar si “operacion special”.
Urdhrin drithërues të Putin e ka zbardhur dje Andriy Chernyak, një nga drejtuesit e Shërbimeve Sekrete Ushtarake (GUR) të Ukrainës, duke shtuar se trupat e Moskës kanë filluar të mblidhen në zona të ndryshme të Ukrainës që kanë nën kontroll.

Sinjalet përgatitëse janë të qarta. Autoritete pro-ruse që kontrollojnë zonat e pushtuara kanë njoftuar se kompania e vetme e telekomunikacioneve do të pezullojë shërbimet e telekomunikacionit civil, pra edhe internetit, duke filluar nga 11 shkurti, pikërisht në rajonin e Luhanskut.
Rusia sipas tyre po detyrohet të sulmojë para se të mbërrijnë mjetet ushtarake të premtuara nga Perëndimi, por moti që në atë zonë ka qenë gjithmonë vendimtar në çdo luftë, nuk duket se favorizon ambiciet e Moskës.
Praktikisht, edhe territoret që mund të pushtohen përkohësisht nga rusët do të mund të rimerreshin në pranverën e vonë nga një kundërsulm i Kievit, të përforcuar nga furnizimet perëndimore.