“U mësuam me bombat, por jo me tërmetet”, historitë nën rrënoja në Siri

“Jemi mësuar me bombat dhe raketat, por jo me tërmetet!” Kështu shprehet mes lotësh, një baba sirian që lëkundja e pamëshirshme e tokës i mori 6 fëmijë dhe bashkëshorten, por i kurseu 3. Teksa shtrëngon zemërthyer, veshjet e fëmijëve të humbur në duar tregon mes dhimbjes se si pas tërmetit ishte lutur që të paktën të shpëtonte gjallë vetëm një prej tyre.
“Dola nga shtëpia dhe thash- të lutem Zot, bëj që të shpëtoj të paktën njëri prej fëmijëve. Thirra emrat e tyre, po askush nuk mu përgjigj; mendova se kishin vdekur të gjithë, por më vonë, disa djem erdhën dhe më thanëse 3 prej tyre ishin gjallë. Falenderoj Zotin”, shprehet Naser Al Wakaa.
Jusufi 25-vjeçar, është një tjetër sirian që tërmeti e goditi rëndë. Teksa ecën mes rrënojave të godinave të shkatërruara në Aleppo, ai rrëfen se si gjithë familje prej 5 pjesëtarësh, ishte shuar në një sekondë.
“E gjithë familja ime vdiq; babai, nëna, vëllai motra dhe nipi. Nuk mund ta besoj; nuk mundem”, tha Jusuf.
Tariq Haidar, u nxor nga rrënojat e një pallati të shembur në Jandaris të Sirisë pas 42 orësh. Ekipeve të shpëtimit ju desh të gërmonin për orë me duar për ta shpëtuar, por fatkeqësisht 3-vjeçarja që mund të shihte sërish dritën e diellit, nuk do të shohë dot asnjë prej familjarëve të saj.
Tërmeti la pa familje edhe vogëlushen që lindi në rrënoja, imazhi i të cilës u bë simbol i shpresës pas tragjedisë. E kanë quajtur Aya, mrekulli në Arabisht, dhe mijëra vetë nga e gjithë bota janë ofruar ta adoptojnë. Kur lindi, kërthiza e saj ishte ende e lidhur me atë të nënës, por kjo e fundit bashke me fëmijët e tjerë nuk ja doli dot.
Ato që vijnë nga Siria e pas tërmetit; janë kronika të një tragjedie të paimagjinueshme. Pas një konflikti të tejzgjatur 12-vjeçar, që i mësoi të jetonin mes frikës dhe mjerimit; tërmeti shembi edhe atë pak shpresë që kishte mbetur për një të ardhme të mirë. Njerëzit duken të sfilitur; teksa presin me ankth lajme për të afërmit nën rrënoja, ndërsa mjetet për nxjerrjen e tyre dhe ndihmat mungojnë.
“Ata thirrën emrin tim, por isha nën rrënoja dhe nuk bërtisja dot. Ata më thërrsnin, por nuk mund të më arrinin dot, deri në ditën e 3-të ose të 4-rt, nuk mbaj mend”, tha Nuhaddaëood.
Mbi 3 mijë persona janë konfirmuar të vdekur në Siri pas atij që klasifikohet mes 7 tërmeteve më vdekjeprurëse të shekullit, por shifrat reale besohet të jenë shumë më të larta. Shefi i OKB, Antonio Guterres, tha se njerëzit po vdesin në Sirin veriperëndrimore dhe bëri thirrje për më shumë ndihma dhe personel në zonat e kontrolluara nga opozita.