E ngarkuara me punë e SHBA-së zbarkon në selinë e PD-së, Basha: Pa opozitën nuk ka zgjedhje

E ngarkuara me punë e SHBA-së Leyla Moses-Ones ka shkuar këtë paradite në zyrën e kreut të PD, Lulzim Basha, ku pritet të diskutojnë për situatën politike në vend.
Takimi vjen pesë ditë para zgjedhjeve dhe pas qëndrimit të opozitës për të vazhduar aksionin.
Takimi me Moses-Ones pa koment, Basha: Pa opozitën nuk ka zgjedhje
Lideri i opozitës Lulzim Basha ka folur për gazetarët pas takimit me të dërguarën e SHBA-ve në selinë e PD-së. Ai nuk ka pranuar të komentojë apo tregojë detaje nga takimi dhe biseda me diplomaten amerikane Leyla Moses-Ones.
Ndërkohë theksoi se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh dhe nuk ka zgjedhje pa opozitën.
“Takimet që kam me diplomatët e huaj nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave të mia me përfaqësuesit e shtypit”, tha Basha.
I pyetur nëse ka kërkuar nga të zgjedhur në pushtetin lokal që të krijojnë incidente në 30 qershor, kreu i opozitës tha se ky është një mashtrim i pastër.
“Ku e keni marrë këtë informacion. Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij. S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut por nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon km, rëndësi ka që është një standard ndërkombëtar, europian. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të lejohen. nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë që 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Çdo hap i Edi Ramës, fushata, mitingje elektorale janë të paligjshme.
Ndërkohë që aleanca qytetare me opozitën në krye është e vendosur të mbrojë demokracinë, rendin kushtetutës.
Konfirmimi është i qartë dhe i printuar e zezë mbi të bardhë në fletoren zyrtare të RSH. 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarët në zgjedhjet monopartiake”, deklaroi Basha.
