Budina: Duhet përplasje e fortë fizike kundër Ramës. T’i tregojmë dhëmbët atij dhe SHBA, se dhe Amerika është e korruptuar

Regjisori Edmond Budina bëri thirrje për përshkallëzimin e protestave në vendin tonë për të rrëzuar qeverinë. Sipas tij, që të largohet qeverisja nuk duhen bërë protesta paqësore dhe të qeta, por qytetarët duhet t’i përgjigjen qeverisë “dhëmbë për dhëmbë”.
Në një intervistë për Panorama TV, Budina tha se në protestat e dhunshme mund të ketë edhe të lënduar, por kjo është e vetmja mënyrë për të larguar qeverinë.
Duke komentuar çështjen “McGonigal”, regjisori shprehet i bindur se Rama është i zhytur “kokë e këmbë” në korrupsion me ish-agjentin e FBI-së.
Edmond Budina: Protesta paqësore e kemi provuar ne. Për 4 vite ne protestuam përpara Teatrit Kombëtar dhe sërish erdhën natën dhe e prishën. Këta janë ca kriminelë që përpara interesave të tyre nuk pyesin për asgjë. Protesta duhet të vazhdojë deri në rrëzimin e kësaj qeverisje.
Pyetje: Duhet të përshkallëzohen protestat?
Edmond Budina: Me qetësi, dashuri dhe logjikë kjo qeverisje nuk ikën. Po të kishin një pikë ndërgjegje këta duhet të kishin kërkuar dhe një ndjesë. Por këta nuk e bëjnë. Padiskutim që duhet të përshkallëzohet. Nuk është e thjesht se njerëzit lenë kockat atje.
Kur arrin sharra në kockë, njerëzit duhet të reagojnë dhe ta përshkallëzojnë padyshim. Çdo qytetar ka të drejtë për të hyrë atje në Parlament. Unë kam qenë kundër vrasjeve të 21 janarit. Punë e madhe nëse do e shkatërronin kryeministrinë? Nëse jetët e njerëzve shkatërrohen, çfarë vlere ka një institucion? T’i përgjigjen dhëmbë për dhëmbë dhunës së qeverisë.
Pyetje: Sa mendoni se është i përfshirë Rama me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal?
Edmond Budina: Nga ato që kam lexuar, është i zhytur në batak. Unë jam i bindur që janë të zhytur thellësisht në këtë skandal. Këto janë rrjedhojë e një politike të caktuar që kanë bërë për vite të tëra. Sidomos tani që kanë një pushtet të madh ekonomik. Ata janë zhytur deri në majë dhe nuk dalin dot prej andej. Shihni çfarë ndodhë në Parlamentin Europian. Doli ajo eurodeputetes i gjetën një valixhe me lekë. Ata mbrojnë interesat e tyre. Në gjithë Europën ka një tendencë të korrupsionit të politikës. Është për të ardhur keq. Qytetarët duhet të reagojnë kundrejt kësaj. Më tepër se çdo kush në Europë, shqiptarët e kanë provuar këtë korrupsion.
Ambasadorja amerikane nuk ka pse të ndërhyjë në politikën shqiptare. Në Shqipëri, mund të jenë të rralla kur pasanikët të jenë bërë me para të pastra. Biznesmenët ta them unë që kanë paguar që të mos jenë në listën e zezë “non grata”. S’më çudit fare. Politika amerikane ka shërbyer edhe në grushtet e shtetit në Amerikën e Jugut. Edhe në Amerikë ekziston korrupsioni, në Amerikë. Ja rasti i fundit i këtij të FBI-së është i dukshëm.
Ne duhet të respektojmë rregullat e demokracisë e miqësisë, por kur ka shenja korrupsioni, ne duhet të flasim. Edhe në SHBA ka raste korruptive, siç është rasti McGonigal. Unë e thashë edhe më herët, në një vend normal ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen sa më parë. Por ai nuk e jep dorëheqjen, megjithëse është frikacak. Në protestat e 90-tës, Rama iku në Greqi. Edhe në 21 janar ai duhet të ishte në krye të protestës dhe jo të rrinte fshehur në ato kullat atje. Ai do të kërkojë që ai duhet ta mbajë pushtetin me çdo kohë.
Mandati i tretë i tij është i blerë. I ka terrorizuar njerëzit me vendin e punës, me bukën e gojës. Edhe shumë miq të mitë që kanë firmosur për shembjen e Teatrit Kombëtar thanë “ç’të bëjnë, na heqin nga puna”. Kanë krijuar një makineri të madhe dhune, jo vetëm fizike, por edhe psikologjike edhe me përçarjen e opozitës. Bëni hesap, ka ndërhyrë deri në FBI. Ai nuk ka për ta lëshuar kolltukun e tij pa një përplasje të fortë. Padiskutim në sferën ndërkombëtare, ky është skandali më i madh që ka prekur qeverinë Rama, por është i paraprirë nga skandale të tjera të mëparshme. Futja në Parlament e njërëzve me të shukar të zezë dhe shumë të tjera.
Skandalet në qeverinë Rama nuk kanë munguar. Rama është një frikacak dhe nuk do të përballet me njerëzit. Ato në Parlament janë ministruçka. Më erdhi turp dje për ato që thoshin dje në Parlament se ndihemi të fyer nga Sali Berisha, kur Rama përdor një fjalor prej rrugaçi. Ato janë kukulla të Edi Ramës dhe ai fshihet pas fustanit të grave. SPAK duhet të kishte zbardhur minimum vetëm aferën e Teatrit Kombëtar, por është e dukshme që e gjithë kjo reforma në drejtësi, ka çuar ujë në mullirin e Edi Ramës.
SPAK u bë gati 3-4 vite që nuk po bëhet asgjë nga SPAK. Shikoni mënyrën sesi zgjidhen drejtuesit e SPAK. Drejtësia në Shqipëri është në dorën e qeverisë. Shqipëria është e marrë fund sepse drejtësia është në duart e politikës. SPAK do të vijojë të sherbejë më besnikëri ndaj atyre që i kanë vendosur në atë pozicion. Edhe vettingu, njerëz që nuk duheshin hequr janë hequr dhe anasjelltas.