Greku i mori hotelin me gjyq, Sotiri Çabiri: Nuk e vura unë tritolin, shkova sepse kisha harruar diçka

36-vjeçari Sotir Çabiri është arrestuar paraditen e sotme si autori i dyshuar i hedhjes në erë të hotel “Bizantit” në Sarandë. Ky krim ka ndodhur për shkak të konfliktit për pronësinë që palët kishin për objektin prej 700 metër katrorësh. Çabiri u zbulua nga kamerat e sigurisë, pasi ka dalë nga hoteli vetëm 3 minuta para shpërthimit të fuqishëm.

Pas arrestimit, ai foli për policinë, teksa e ka mohuar kryerjen e këtij krimi. “Nuk kam asnjë lidhje me shpërthimin, unë u ktheva në hotel, sepse kisha harruar diçka dhe do të largoheshim jashtë Shqipërisë”, ka thënë 36-vjeçari në momentin kur është ballafaquar me pamjet e kamerave të sigurisë, që e shfaqnin duke dalë nga hoteli.

Sipas policisë, tritoli ishte vendosur në pesë pozicione në ndërtesë, çka tregon se qëllimi ka qenë shembja totale e ndërtesës. Nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtuan edhe 30 objekte pranë hotelit. Policia ka sekuestruar dhe veshje, që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Sotir Çabiri, dyshohet se e ka vënë eksplozivin për shkak se së fundmi shtetasi Dhimitër Evangjeliu kishte arritur të fitonte një proces gjyqësor të nisur në vitin 2002 për pronësinë e hotelit me babain e Sotirit, Spiron. Së fundmi, gjykata kishte vendosur se pjesën më të madhe të pronës do ta merrte Evangjeliu.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë të dëmtuar fatmirësisht, pasi gjithçka ndodh në një periudhë kur hotelet e jugut janë bosh, pasi jemi në dimër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT