Kina i përgjigjet SHBA-së: Do të vuani ju pasoja të rënda, nëse përshkallëzoni situatën me balonën

Një përgjigje ka ardhur nga diplomacia kineze lidhur me deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi Pekinin të bënte kujdes me mbështetjen ndaj Rusisë, ku nga Ministria e Jashtme e Kinës, kërcënimi ka qenë i qartë: Do të vuani ju pasoja të rënda, nëse përshkallëzoni situatën me balonën.

Kështu i janë referuar ata rastit të një balone kineze, e cila fluturoi për ditë të tëra mbi qiellin amerikan dhe më pas u rrëzua me urdhër të presidentit Joe Biden.

Sipas SHBA-ve, objekti fluturues shërbente për qëllime spiunazhi, por Kina i ka hedhur këto pretendonte poshtë në mënyrë kategorike, duke pretenduar se balona në fakt shërbente për qëllime meteorologjike dhe kishte dalë nga kursi i saj normal.

SHBA-të, e kanë marrë seriozisht çështjen dhe kanë paralajmëruar se do të hetojnë “deri në palcë” çdo pjesë të mbetur të balonës.

Mirëpo nga Pekini, nuk është pritur mirë kjo gjë dhe ndaj, diplomacia kineze ka dalë në deklaratë, duke thënë se Washingtoni nuk duhet të përfitojë nga situata, për të krijuar keqkuptime dhe trazira në favorin e vet.

Rasti i balonës anuloi edhe një vizitë të Blinkenit në Pekin, e cila ishte e parashikuar.

Për shkak të ndodhisë, nuk u arrit që vizita të zhvillohej dhe ajo u anulua.

Por, një takim me homologun e tij kinez, Wang Yi, Blinken e pati gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe aty tonet, nuk ishin aspak të qeta.

Kina nuk ka kërkuar falje për balonën e fluturuar mbi qiellin amerikan në mënyrë të beftë dhe SHBA-të nuk kanë kërkuar falje për rrëzimin e asaj balone, e cila mendohet se ka pasur për qëllim spiunazhin.

Por, paralajmërime nga ana e Washingtonit, nëse Pekini e mbështet Moskën në luftën në Ukrainë, ka pasur dhe kanë qenë të forta.

“SHBA-të janë shumë të shqetësuara se Kina po kërkon të japë mbështetje me armë letale për Rusinë në frontin e luftës në Ukrainë”, shtjelloi Blinken pas takimit me Wang, duke shtuar nga pas edhe paralajmërimin se “nëse diçka e tillë ndodh, pasoja shumë të rënda do të ketë”.

Ajo çfarë Blinken shtjelloi, ishte fakti se armatimet e rënda mund të përfshihen në mbështetjen që Kina mund t’i japë Vladimir Putinit, për agresionin në Ukrainë.

Kjo, në një kohë kur ka dyshime se në mënyrë indirekte, Moska po ndihmohet nga Pekini ekonomikisht.

Një tjetër zyrtar i lartë amerikan i Departamentit të Shtetit, pas takimeve të zhvilluara me palën kineze, bëri me dije për mediat se Kina po përpiqej të luante me dy porta, duke treguar nga një anë se dëshiron paqen dhe stabilitet në botë, por nga ana tjetër duke treguar mbështetje për Rusinë.

Kjo gjë prej Kinës nuk është pranuar asnjëherë, duke e personifikuar veten me një shtet, i cili vendos sigurinë globale në plan të parë dhe kontribuon për paqen në botë.

Pavarësisht kësaj, tonet mbeten të ashpra mes dy palëve dhe zbulime të reja lidhur me balonën kineze, mund t’i ashpërsojnë ato edhe më shumë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT