McGonigal trazon edhe Kosovën, publikohen foto nga takimi i tij me Çitakun por rezulton se ishte…

Takimet e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal me politikanët duket se pas Shqipërisë, po trazojnë edhe Kosovën.
Siç është raportuar më herët, gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan, ish-zyrtari i FBI, i cili akuzohet se ka ndihmuar oligarkun rus Oleg Deripaska t’i shmanget sanksioneve dhe të pastrojë paratë, McGonigal ka zhvilluar takime me zyrtarë e politikanë të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.
Është deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, i cili ka publikuar një foto të McGonigal me nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke i kërkuar asaj shpjegime për takimin.
“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, shkroi deputeti i LVV-së në Facebook.
Megjithatë, rezulton se ky takim është realizuar rreth 5 vite më parë në SHBA, ka qenë publik dhe është raportuar në mediat në atë kohë. Madje takimi ka edhe shumë foto të tjera, ku duket Çitaku teksa ka takuar jo vetëm McGonigal por edhe zyrtarë të tjerë amerikanë.
