Anija “Iliria” niset me mision në Detin Mesdhe, 21 ushtarakë shqiptarë në operacionin e NATO-s

Një trupë prej 21 ushtarakësh të Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të nisen me mision në Detin Mesdhe, në kuadër të një operacioni të aleatëve të NATO-s. Vendimi i Këshillit të Ministrave është publikuar sot dhe siç theksohet, hyn në fuqi menjëherë.

Shqipëria do të dërgojë një anije të klasit “Iliria” e kompletuar me efektivë dhe me mision kryerjen e detyrave të patrullimit, zbulimit detar, dhënies së ndihmës, njohjes së situatës detare, identifikimit, verifikimit, ndalimit të objekteve detare, në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2).

Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 20 ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në operacion. Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, për dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12,000 lekë në ditë, përveç pagës mujore.

V E N D I M
PËR

PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “FOCOPS”, NË DETIN MESDHE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Dërgimin e 1 (një) anijeje të klasit “Iliria”, e kompletuar me efektivë, të përbërë nga 21 (njëzet e një) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe.
  2. Misioni i anijes është kryerja e detyrave të patrullimit, zbulimit detar, dhënies së ndihmës, njohjes së situatës detare, identifikimit, verifikimit, ndalimit të objekteve detare, në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në detin Adriatik dhe në detin Jon (Deti Mesdhe), në kuadër të operacionit të NATOS-s, “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe.
  3. Komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit në operacion kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2. Për çdo rast, anija ruan varësinë në nivelin kombëtar, duke raportuar në mënyrë periodike për mbarëvajtjen e operacionit.
  4. Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 20 (njëzet) ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në operacion.
  5. Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, për:
  6. a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
    b) sigurimin e jetës;
    c) ushqim;
    ç) sigurimin e anijes;
    d) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
    dh) mbështetje shëndetësore;
    e) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
    ë) karburant, lubrifikante;
    f) transport personeli për në zonën e operacionit;
    g) aktivitete social – kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit;
    gj) transportimin e individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
    h) taksa portuale, shërbime portuale dhe të kalimit nëpër ngushtica;
    i) riparim të nivelit të dytë pas kthimit nga operacioni;
    j) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
  7. Transporti i personelit të anijes që merr pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur të operacionit për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga pala shqiptare, përveç rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, ku pala tjetër merr përsipër këto shpenzime.
  8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
  9. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Back to top button
LAJMET E FUNDIT