Rama: Shqiptarët i qeveris lehtë, pranojnë edhe reformat më jopopullore

Në një intervistë në gazetën italiane La Stampa, Rama thotë se është e lehtë të qeverisësh Shqipërinë sepse njerëzit durojnë pasi kanë shumë dëshirë t’i ngjajnë BE-së.

Në Shqipëri edhe reformat më jopopullore janë popullore, njerëzit i presin. Ka shumë dëshirë për Europën” – u shpreh ai.

Në këtë intervistë ai flet edhe për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild.

“Përgjimet janë pjesë e kësaj rruge” – thotë Rama duke nënkuptuar që ato vijnë ngaqë ai po lufton korrupsionin.

Më poshtë pjesë nga intervista:

E përditshmja gjermane ”Bild” ka publikuar përgjime që ju shohin në kontakte me narkotrafikantët. Akuza të rënda. A jeni i shqetësuar?

”Nuk kam nevojë të mbrohem nga asgjë. Po përgatitemi për një luftë të madhe kundër korrupsionit, një pastrim me rrënjë të shumë gjykatësve të korruptuar. Përgjimet janë pjesë e kësaj rruge”.

Kush janë miqtë tuaj në Itali?

”Kam nderin të jem mik personal me Renzin dhe D’Aleman”.

Çfarë gabimesh bëri Renzi?

”Nuk më takon mua të gjykoj. Ndoshta është më e vështirë të qeverisësh Italinë se sa Shqipërinë”.

Pse?

”Ka shumë korporativizëm. Ne nuk kemi sindikata, të bësh reforma është më e thjeshtë. Në Shqipëri edhe reformat më jopopullore janë popullore, njerëzit i presin. Ka shumë dëshirë për Europën”.

A është gati Shqipëria për në BE?

”Po. Por vendimet për hyrjen tonë varen nga dinamikat e brendshme europiane”.

Si do ta bindni Këshillin Europian?

”Nëse politikanët e Brukselit do të shohin hartën, do të shohin që Ballkani është i rrethuar nga vende anëtare të BE: Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Greqia. Jemi si mëlçia i një trupi që quhet Bashkimi Europian”.

A do ta përballonte ekonomia juaj një anëtarësim në union?

”Ballkani është deri tani një mundësi e nënvlerësuar, ka një potencial të pamatë. Imagjinoj një anëtarësim në një BE më fleksibël. Duhet të jetë një Europë me shumë Europa: të Schengenit, të monedhës, të Mbrojtjes, të qytetarëve. Me këto rregulla është e pamundur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT