Marrëveshja “xhentëlmenësh” e arritur në vilën e Titos, iluzion optik i një kompromisi historik

Nga Paskal Milo – Ish-ministër i Jashtëm

Ajo çfarë u arrit në Ohër mes presidentit të Serbisë Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Kurti, me ndërmjetësinë e BE-së dhe mbështetjen amerikane, pasuroi arsenalin e hipokrizisë diplomatike dhe fondin e metodave të negocimit diplomatik.

Nuk pretendohej që të zgjidhej thelbi i krizës sic filluan kritizerët profesionistë e politikë të mbushnin portalet me komente. Veç të kishte vërtet një skicë të qartë e të besueshme të rrugës ku do të ecet në ditët e javët në vijim.

Dakordësia publike, ky term novator që u shpik për t’i vënë si kapele një akti të imponuar, ishte në rrethanat e kontekstin ku u zhvilluan bisedimet një veprim me rreze afatshkurtër. Këtë Dakordësi fare mirë mund ta quajmë një urë me këmbë argjili që vështirë se mund ta ketë jetën të gjatë.

Patericat e BE e të Shteteve të Bashkuara për ta mbajtur në këmbë vështirë se do të funksionojnë për shumë kohë.

Kjo marrëveshje “xhentëlmenësh”  e arritur në vilën e një ish-superxhongleri politik jugosllav si Tito është iluzioni optik i një kompromisi historik.

Në thelb një varkë shpëtimi për të hedhur përkohësisht lumin e trazuar nga tallazet e stuhisë ruso-ukrainase që përplasen në Ballkanin Perëndimor.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT