Alibeaj replikon me Berishën: E papajtueshme që demokratët t’i çosh në një parti tjetër. Kemi shkuar deri tek rrahja me njëri-tjetrin, por më 14 maj armiku është Rama

Enkelejd Alibeaj zhvilloi pasditen e së hënës një mbledhje me Kryesinë e Partisë Demokratike.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes, Alibeaj deklaroi se është e papajtueshme që grupi i Berishës ka futur kandidatët e PD-së nën logon e një partie tjetër.

“PD ka vetëm një kandidat, nuk mund të ketë dy. Kandidatët e tjerë mund të jenë nën logon e partive të tjera, në PS ose në PL.

Së dyti, të marrësh demokratë dhe t’i çosh në një parti tjetër që nuk ka ngjyrën apo logon e demokratëve, unë besoj që është e papajtueshme me anëtarësinë e PD-së”, tha Alibeaj.

“Ne kemi bërë maksimumin, përtej çdo durimi, për të bërë të mundur të kemi një kandidat për demokratët”, shtoi Alibeaj.

Alibeaj deklaroi se mes palëve ka pasur goxha përplasje deri edhe fizike, ndërsa shtoi se është momenti që më 14 maj të bëhen bashkë rreth një kandidati të përbashkët nën logon e PD.

“Nëpërmjet pyetjes tënde unë dua të jem i vërtetë me shqiptarët dhe vërtetësia është ta shohësh realitetin në sy. PD ka pasur një vit e gjysmë të vështirë, në kuptimin që brenda nesh kemi pasur goxha përplasje deri edhe fizike, skena që e mira do të ishte të mos thuheshin.

Por e vërteta është që kemi pasur goxha probleme që tregojnë se shëndeti i PD aq i dashur para fushatës nuk është në optimumin e vet dhe kjo ridimensionon edhe objektivat e PD.

Ajo se çfarë kemi mbajtur si qëndrim kësaj kohe kemi bërë të gjithë ato akte në funksion të një interesi që është ai publik si e si që 14 maji, që është një ditë jo më e partive politike apo vetëm e PD, është shqiptarëve, dhe për hir të tyre dhe situatës kaq të keqe të shtetit të së drejtës, ia vlen të hedhësh pas kurrizit, të gëlltisësh mllefin me synimin për t’u bërë bashkë, ose bashkuar forcat rreth një kandidati nën këtë logo në interes të PD për t’iu shërbyer shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Pyetje: Keni kandidat për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin?

Alibeaj: Procesi është në vazhdim. Ky proces, siç është parashikuar në vendimin e Kryesisë, është një proces që bazohet në statutin e partisë. Në një nga mbledhjet e mëparshme, ne kemi kërkuar kandidimin e Primareve.

Pyetje: Ka një përplasje mes teje dhe Bardhit?

Alibeaj: Nuk është paqartësi. Unë dhe kushdo ka detyrim të respektojë vendimet e Kryesisë. Ajo që ka thënë Bardhi është në bazë të qëndrimeve tona për kandidatët e Primareve të grupit të Rithemelimit, janë të ftuar të bashkohen në logon e PD-së. Ky proces, do të vazhdojë të diskutohet këtu në mbledhjet e Kryesisë.

Pyetje: Bardhi deklaroi se në këto 3 bashki PD nuk do nxjerrë kandidatë.

Alibeaj: Është gjithmonë sipas rregullave të statutit që këto do i vendosë Kryesia.

Pyetje: A i keni ndërprerë urat e bashkëpunit me Berishën? A do thotë kjo se dalja me dy kandidatë në zgjedhjet vendore, ndërprerje e marrëdhënieve?

Alibeaj: PD nuk ka se si të ketë dy kandidatë. Ka vetëm një kandidat. Kandidatët e tjerë mund të jenë nën logon e partive të tjera, në PS ose në PL. Së dyti, të marrësh demokratë dhe t’i çosh në një parti tjetër që nuk ka ngjyrën apo këtë logon e demokratëve, unë besoj që është e tillë që është e papajtueshme me qëndrimin, anëtarësinë e PD-së.

Po më pyesni për Sali Berishën? Unë e kam bërë të qartë këtu e një vit e gjysmë më para. Nuk është çështje personale, por çështje identiteti. PD ësht themeluar si parti properëndimore. Marrëdhëniet e saj me SHBA, Britaninë dhe BE janë ADN-ja e kësaj partie. Raporti i kësaj partie është e shenjtë. Ne kemi bërë maksimumin përtej çdo durimi për të bërë të mundur të kemi një kandidat për demokratët. Për të gjithë qytetarët që janë të pakënaqur nga regjimi i Edi Ramës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT