Artan Fuga, kandidat i PD për kreun e Akademisë së Shkencave

Partia Demokratike ka shprehur hapur mbështetjen për akademikun Artan Fuga në kandidimin e tij për kryetar të Akademisë së Shkencave, i cili ka si rival kryetarin aktual Skënder Gjinushi.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputetja Ina Zhupa ka ripërsëritur edhe një herë akuzat se mazhoranca po tenton të kapë dhe Akademinë e Shkencave me ndryshimin e ligjit që favorizon rizgjidhjen si kryetar të Skënder Gjinushit, ku sipas saj, ky i fundit vazhdon të jetë kryetar i Akademisë së Shkencave.

Zhupa ka hedhur akuza dhe ndaj dy deputetëve socialistë Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, të cilët kanë qenë nismëtarët e ndryshimit të ligjit.

Deputetja e PD u shpreh se për të adresuar në mënyrë institucionale shqetësimet ka kërkuar në komisionin e edukimit që akademiku Fuga dhe akademik të tjerë që kanë ngritur shqetësime publike të dëgjohen në një seancë dëgjimore në komisionin e edukimit.

Ajo shtoi më tej se është rekord i zi se si në 4 vite kryetari i Akademisë së Shkencave nuk ka shkuar asnjëherë në kuvend për t’u pyetur dhe për të raportuar. Sipas saj, beteja për Akademinë nuk është betejë për emra, por betejë për shkencën, për historinë, për dinjitetin dhe ligjshmërinë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT