“Çarje” brenda Kryesisë së PD/ Dy skenarë për zgjedhjet e 14 majit: Emrat që mbështesin “primaret’ e ata kundër. Ja si janë ndarë
Gazetari Osman Stafa ka zbuluar për emisionin “Kjo Javë” përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë situatën në kampin e Partisë Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn për paraqitjen e tyre në 14 maj.
Sipas tij Kryesia në tërësinë e vetë është e ndarë, pasi shumica e deputetëve të grupit parlamentar të PD-së së drejtuar nga Alibeaj mendojnë për të shkuar në 14 maj për të kandiduar për këshillat bashkiakë, ndërsa anëtarët e tjerë të kësaj strukture janë për të pasur kandidatë në çdo bashki të vendit.
Stafa ka zbuluar se gjatë mbledhjes së Kryesisë anëtarja e Kryesisë Taulanta Jupi ka thënë se duhet të hyhet me kandidatë në të gjitha bashkitë, mendim të cilit i janë bashkuar Gazmend Koduzi, Orjola Pampuri e Agron Kapllanaj ndër të tjerë, mendim ky i cili mbështetet edhe nga kryetari i komanduar i partisë, Enkelejd Alibeaj.
Sakaq, deputeti i PD Kreshnik Çollaku ka shprehur mendimin për garimin me kandidatë vetëm në ato bashki ku ka mundësi për të fituar.
Nga ana tjetër ndër emrat që kanë kërkuar të mbështeten kandidatët e Primareve të Berishës janë Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi apo edhe Dashnor Sula.