Kalon për gjykim dosja “Gërdeci”

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të kaluar në gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Ish-ministri do të gjykohet në GJKKO për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “shpërdorimi të detyrës”, në bashkëpunim, me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Gjykata pranoi kërkesën e ish-ministrit për gjykim të shkurtuar dhe seanca e parë e këtij procesi u caktua më 24 prill.
Avokatët e zotit Mediu kërkuan pushimin e çështjes dhe pasi u vunë përballë faktit të kryer për nisjen e gjykimit në themel, kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë që u pranua.
Fatmir Mediu nuk është paraqitur në seancën paraprake të ditës së sotme, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës.
E pranishme në seancë ishte edhe familja Durda. SPAK u përfaqësua sot me tre prokurore, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Klodian Braho.
Seanca e radës është caktuar të mbahet në datën 24 prill.
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit nuk janë pranuar si palë në gjykim, teksa avokati Dorian Matlija, u shpreh se ky proces duhet të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve.
“Unë nuk e konsideroj të vlefshme këtë si procedurë. Familjarët e viktimave duhet të ishin aty. Do jemi prezent edhe në seancën tjetër. Do të paraqesim kërkesat tonë. Gjykimi i shkurtuar patjetër që do të pranojë kërkesën e të pandehurit.
Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve. Është investuar edhe Gjykata e Evropiane për të Drejtat e Njeriut”- tha avokati Matlija.
Jashtë ambienteve të gjykatës, pas dhënies së vendimit, ka dhënë një prononcim për mediat dhe Zamira Durda, e cila humbi djalin e saj vetëm 7 vjeç nga shpërthimi i Gërdecit.
Duke qenë se familja nuk është pranuar si palë në gjykim, Durda thotë se do të vijojë betejën e saj për drejtësi.
“Duhet të shkarkohet SPAK i gjithë. Zamira do vijojë betejën, është turp”, tha Zamira Durda.