Balliu: Çdo njeri e kupton se sot vendi ka nevojë që të vimë ne në pushtet

Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu ka dhënë më shumë detaje për çeljen e fushatës më datë 15 prill në stadiumin “Air Albania”.

Balliu tha se të Shtunën do bëhet njohja me programin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, do prezantohen kandidatët dhe do ketë shumë të ftuar.

“Në orën 12:00 çdo qytetar është i ftuar të marrë pjesë në çeljen e fushatës në stadiumin Air Albania. Edhe vetë slogan është i qartë, bashkë me qytetarët fitojmë, prindërit, gjyshërit, fëmijët, gazetarët që sot janë nën presion, bashkë me intelektualët etj. Do ketë një prezantim të kandidatëve nga i gjithë vendi, diskutime nga figura të ndryshme të opozitës, artistë të vendit do të marrin pjesë dhe aty do njihen me programin në këtë kohë tejet të vështirë për vendin. Çdo qytetar e kupton sot se ka nevojë për ndryshim!”

Ai hodhi akuza të rënda ndaj Partisë Socialiste, duke thënë se është përgjegjëse për sulmin me tritol ndaj kreut të “Rithemelimit” në Vaun e Dejës.

“Rama nuk e sheh si një garë elektorale, por krim elektoral, që e bën nën rrogozë, prandaj bënë këtë gjetje, janë të përgatitur për të bërë krimin. PS është përgjegjëse për shpërthimin me tritol ndaj kryetarit të Partisë Demokratike në Vaun e Dejës.

A duhet të presim që të vdesi njeri për ta kuptuar?! Një familje që s’ka pasur kurrë në jetën e vet konflikt, fillon çelja e fushatës dhe shpërthen tritoli në makinën e tij, ky është fakti. A duhet të habitemi ne që kjo parti ka këta kriminelë me vete? A nuk është kjo partia që futi me dhjetëra kriminelë, vrasës e përdhunues në Parlament të cilët dolën në pah me dekriminalizimin, besojini raporteve ndërkombëtare. Në çdo cep të qeverisë dhe bashkive në Shqipëri ka korrupsion absolut, kemi bërë dy denoncime për Rakip Sulin me prova e dokumente dhe ai është ende në fushatë, ndërkohë që duhej arrestuar për abuzime me tendera.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT