VIDEO: Sa herë ka zgjedhje, Veliaj dhe Rama “zihen”

Është interesante, po të shikosh mediat pranë PD, sa herë ka zgjedhje.
Pothuajse në çdo palë zgjedhjesh, si të përgjithshme, dhe ato lokale, riciklohet pothuajse i njëjti lajm, se Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, me aludimin se Veliaj do t’i zërë vendin Ramës.
E kanë bërë këtë gjë edhe këtë radhë.
Shkak janë bërë disa batuta të Ramës në drejtim të Veliajt në çeljen e fushatës së PS në Farkë, ku është mbajtur edhe një festë.
Sipas televizionit të familjes Berisha, Rama dhe Veliaj janë përplasur aq ashpër, sa kryeministri nuk shikonte nga Veliaj kur ky bënte selfie.
“Çelja e fushatës së PS për zgjedhjet lokale të 14 majit, konfirmoi edhe një herë përplasjet mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliajt, të cilët nuk nguruan të thumbojnë njëri-tjetrin, nën justifikimin e batutave dhe humorit.
Takimi festiv që Erion Veliaj organizoi në Farkë, pas shout propagandues me mbjelljen e pemëve, duket se doli jashtë kontrollit, duke arritur kulmin në fjalimin që kryebashkiaku Veliaj mbajti në podiumin para qytetarëve.
Entuziazmin e fjalimit ia fiku Edi Rama, i cili u ngjit në skenë dhe i mori mikrofonin, duke i kërkuar të largohej nga skena.
Ndonëse kjo ndërhyrje u bë në formën e një batute, Rama ishte i qartë në ironizimin e kryebashkiakut Veliaj, duke zhvlerësuar punën e tij dhe vizionin për Tiranën.
Por duket se ky gjest u bë në formë hakmarrje, pasi një ditë më parë ishte kryebashkiaku Erion Veliaj që sulmonte Edi Ramën, duke e akuzuar se kishte lënë kryeqytetin pa ujë.
Në një takim për strategjinë e Ujësjellësit, Veliaj akuzoi Ramën, si kryebashkiakun më jetëgjatë me 12 vite në administrimin e Tiranës, se nuk kishte kryer asnjë investim, duke e lënë furnizimin me ujë si një plagë edhe në ditët e sotme.
Tensioni dhe përplasjet mes tyre ishin evidente edhe gjatë takimit, ku teksa kryeministrit improvizonte me të rinjtë, kryebashkiaku Veliaj u afrua për realizimin e një video-selfie, por u injorua nga Rama, i cili shmangu qëndrimin e pozimit apo qoftë edhe një shikim për videon që po realizonte kandidati për Tiranë.”, shkruan televizioni i familjes Berisha.
Por nëse sheh videon më poshtë, nga kjo “përplasje”, në fakt shikon që jo vetëm nuk ka pasur asnjë përplasje siç thuhet në tekstin e lajmit, po as qefmbetje apo gjëra të tilla.
Kemi thjesht disa batuta të Ramës, të cilat janë të zakonshme për të.
Nuk kuptohet arsyeja pse sajohet gjithmonë një përplasje e tillë e paqënë, ndoshta për t’iu thënë militantëve të tyre se këta po zihen me njëri-tjetrin dhe s’e kanë të gjatë, por fakt është se nuk është se iu ka dhënë ndonjë rezultat si strategji.
Aë më tepër që kanë filluar e përdorin kaq shpesh, madje edhe me ambasadoren Yuri Kim, sa për një fare kohe kaluan edhe në ekstazë, duke thënë se Rama ishte prishur edhe me ambasadoren amerikane, por që pastaj dolën bllof.
Nuk kanë faj në fakt, se të vetmet herë që kanë fituar zgjedhjet, kanë qenë atëherë kur janë zënë socialistët me njëri-tjetrin.
Ndaj dhe e shohin si të vetmen shpresë, që një ditë të vijnë në pushtet.
Vetëm se harrojnë sherrin e tyre, që i ka katandisur si mos më keq.(TemA)